A ka nanë në botë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet

“…mbas arrestimit në Sheldi e mbajtën disa ditë në hetusi të Shkodrës, dhe mbasi e mjekunen në spitalin e burgut e nisën për Tiranë edhe ku e ekzekutunen me datën 5 mars 1945. Asht prifti i parë i pushkatuem këtu. Ba me mujtë me përshkrue hollsisht shka komunistat kanë ba mbi trupin e Don Lazër Shantojës, kam frigë se do të fillojnë dyshimet për ngjarjet e përshkrueme në libër, mbasi edhe sikur të mbylli librin aty ku mbyllet kjo histori e përbindshme e ‘njerzve të shekullit XX’, kurgja ma ndej nuk asht ma e shëmtueme se vepra e fanatikve komunista, demek ‘shqiptar’, e bame kundër një meshtari katolik.
Mbasi i patën pre kambët dhe i patën thye edhe parakrahët, e lanë pas asnjë mjekim. I shtrimë në një dysheme çimentoje ushqehej me gojë, dhe kafshonte ndonjë copë buke të thatë, që xhullijt i hidhnin prej sportelit. Pinte ujë në një tas që ndodhej mbas derës. Lëvizte kalas nëpër dhomë. Nuk hynte asnjëri, mbasi qelbej nga nevojat e kryeme mbrenda dhomës.
Deri këtu ndokush nuk shef ndonjë gja të jashtëzakonshme…!
Një ditë thirrën nanën e tij dhe i thanë: “Hajde e takoje djalin!”.
Nanë shkreta hyni shend e verë me e pa djalin…hyni n’at dhomë që ma mirë një ditë ma parë të kishte hi në vorr. E pau e i tha katilave:
“Ma vritni…banje këtë mirësi…e mos ma leni djalin gjallë me vuejtë kështu…aman ma vritni sa më parë…!”.
A ka nanë në botë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet?
Kjo asht Nana e Don Lazrit…!
Deri këtu i kanë çue nanant shkodrane, katilat komunista.
Po a vetëm nanat shkodrane? – besoj se Shqipnia ka qinda këso nanash!”.

Marrë nga libri “Çinaret”
At Kondrrad Gjolaj

Artikulli paraprakOSBE kërkon angazhim për nisjen e reformës zgjedhore
Artikulli tjetërKosova drejt reformave apo drejt zgjedhjeve?