Kosova, 8 milionë euro çdo vit Serbisë për energjinë elektrike

Që nga koha e pas luftës në Kosovë, llogaritet që çdo vit qytetarët kanë paguar mbi tetë milionë euro rrymë për banorët serbë të komunave në veri të Kosovës. Këto kanë dalë si rezultat i përfundimit të hetimeve nga institucioni i Avokatit të Popullit.
Hetimet e nisura në fillim të muajit prill fillimisht mbi dyshimet për shkelje të të drejtave të njeriut, kanë nxjerrë ndoshta skandalin më të madh, mbi atë se shqiptarët dhe komunitetet e tjera janë duke paguar faturat e energjisë elektrike edhe për komunat serbe në veri.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për “Indeksonline”, ka treguar për rezultatin e përfundimit të hetimeve të nisura nga ky institucion, ku pas disa ditësh pritet që ai të dalë para mediave dhe të tregojë faktet mbi skandalin, i cili llogaritet që ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut në Kosovë.
Jashari ka thënë se shuma që qytetarët e Kosovës paguajnë për serbët e komunave veriore, është tetë milionë euro për çdo vit, ku sipas tij kjo ka ndodhur me vetëdijen e institucioneve përgjegjëse të Kosovës.
“Kemi marrë një përgjigje prej Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe më pas kemi realizuar një takim me zyrtarë të ZRRE-s ku kemi kërkuar shpjegime shtesë për situatën e krijuar. Ndërkohë kemi përcjellë tri letra menjëherë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe është pranuar nga ZRRE-ja se kosovarëve u janë shtuar në faturën e tyre, 4.5 për qind e shumës, e cila është paguar për pjesën veriore të Kosovës. Është bërë një interpretim se gjoja se ky 4.5 për qind njihet si humbje komerciale sipas interpretimit që jep zyra komerciale e ZRRE-së”, ka thënë ai.
Jashari tregon se shuma totale që kanë shpenzuar komunat serbe në veri është paguar tërësisht nga konsumatorët e komunave të tjera.
“Si duket kjo ka ndodhur gjatë gjithë kohës me vite të tëra, dyshohet prej pas luftës, ku vazhdon edhe në ditët e sotme kjo ka ndodhur si duket edhe në relacion me një vendim që ka nxjerrë ZRRE në vitin 2012. Shuma totale që kosovarët kanë paguar faturat e energjisë për komunat serbe në veri në baza vjetore është mbi 8 milionë euro”, ka treguar Jashari.
Avokati ka thënë se tani janë në pritje të përgjigjeve të fundit prej ministrive përkatëse nga të cilat ai ka kërkuar opinionet dhe interpretimet juridike dhe se cilat janë masat që ata kanë paraparë të merren me problemin në fjalë.
“Kjo bie ndesh sa i përket ligjit për të drejtat e konsumatorit dhe ligjit të marrëdhënieve dhe detyrimeve dhe me një varg ligjesh të tjera që definitivisht kanë kërcënuar në formën çfarë është bërë sipas vlerësimit tonë preliminar. Mirëpo tani jemi duke pritur dy përgjigjet e fundit nga ministritë ku më pas do të dalim me një qëndrim me një opinion për qytetarët, mirëpo edhe për autoritetet përkatëse, sepse ky është një trajtim i pabarabartë pra, mund të jetë një bazë e mjaftueshme për të konsideruar që ka pas diskriminim”, ka thënë Jashari.

Artikulli paraprakNdalohet shprehja e bindjeve politike në publik për nëpunësit
Artikulli tjetërKonkurrenca heton edhe monopolin me majanë e bukës