Kontratat koncesionare, ekspertët: Duhet transparencë dhe garanci për financat publike

Dhënia e koncesioneve duke angazhuar burimet financiare buxhetore në afat të gjatë për shlyerjen e tyre cenon financat publike. Sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa, filozofia e përdorur kohët e fundit është kompromentuese. Xhepa theksoi në një intervistë televizive se buxheti duhet të alokojë fondet e nevojshme për koncesionet dhe këto fonde duhet të jenë të dukshme. Eksperti i ekonomisë nënvizoi rrezikun e korrupsionit, sipas të cilit shmanget vetëm nëse procedurat e prokurimit publik janë të hapura dhe transparente për të gjithë palët që janë në garë. Institucionet financiare ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin e rrezikut të financave publike nga koncesionet, të cilat nuk mirëmenaxhohen. Vetëm në shëndetësi shërbimet e dhëna me koncesion kapin vlerën e 400 milionë eurove. Koncesionet e dhëna vitet e fundit nga qeveria, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar janë një rrezik i madh fiskal. Në raportin më të fundit të Transparencës fiskale, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur shqetësimin e mungesës së një regjistri për partneritetet publik-privat për të vlerësuar ndikimin që ato kanë në buxhet.  Teksa vala e koncesioneve ka përfshirë të gjithë sektorët, duke u shtrirë edhe ne menaxhimin e infrastrukturës edhe shërbimeve në shëndetësi, qeveria ende nuk i ka të qarta detyrimet që do të paguajë ndaj tyre. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se të tashmë 55 partneritetet Publike dhe Private tashmë zënë 7 për qind të PBB  dhe të tjera janë përfshirë në proces. Ligji i koncesioneve kërkon Ministrinë e Financave për të mbajtur një regjistër të partneritetit publik-privat për të vlerësuar ndikimin i tyre buxhetor para se ata të jene nënshkruar, por qeveria nuk e ka publikuar regjistrin dhe nuk ka dijeni mbi parashikimet e pagesave që do të beje gjatë zbatimit të kontratave, referon Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të posaçëm për transparencën e fiskale.

Artikulli paraprakSi do të jetë godina e re e bankës?
Artikulli tjetërTabaku: Në 2016, 434 milionë euro më pas investime të huaj