Si do të jetë godina e re e bankës?

Banka e Shqipërisë njoftoi dje se ka mbyllur prokurimin për rikonstruksionin e Hotel Dajtit për ta kthyer atë në mjedise që do t’i shërbejnë personelit të saj, pasi dje nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri me dije se punimet do të nisin shumë shpejt.
Banka sqaron se përgjatë vitit 2016 u ndoqën me përparësi të gjitha procedurat, si dhe u përmbushën detyrimet që lidhen me procesin e miratimit të lejes së ndërtimit. Menjëherë pas përfundimit të tyre, Banka e Shqipërisë ka organizuar punën për ndjekjen e të gjitha fazave të prokurimit sipas rregullores përkatëse në fuqi.
Banka e Shqipërisë bën me dije se së shpejti do të nisin punimet për rikonstruksionin e ish-Hotel Dajtit. Këto punime do të realizohen në vijim të vendimit nr. 27, datë 01.04.2015 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e realizimit të objektit të prokurimit ‘Rikonstruksioni i godinës së ish-Hotel Dajtit’, nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje deri në 3 vjet”.
Detaje më të hollësishme për këtë proces, Banka e Shqipërisë do t’ia komunikojë publikut pas nënshkrimit të kontratës për zbatimin e projektit të rikonstruksionit.
Rikonstruksioni i godinës do të sigurojë ambientet e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit për punonjësit e Bankës së Shqipërisë, por, gjithashtu, rikthimin e të gjitha vlerave historike e kulturore që kjo ndërtesë ruan në memorien e kryeqytetit. Kati i parë i saj do të ruajë të njëjtat ambiente funksionale si dikur në shërbim të qytetarëve dhe të hapura për publikun. Ndërsa pjesa tjetër e godinës, do të përshtatet në funksion të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Zgjerimi i aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me objektivat strategjike institucionale, modernizimin e tregut financiar dhe funksionet e përcaktuara në ligj, ka sjellë nevojën e shtimit të ambienteve në të cilat ky aktivitet zhvillohet.
Në plotësim të kësaj nevoje, me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nr. 40, datë 16.06.2010, “Për miratimin e procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen e pasurisë së paluajtshme shtetërore nga Banka e Shqipërisë”, u vendos blerja e objektit të ish-Hotel Dajtit dhe kalimi i tij në pronësi të Bankës së Shqipërisë.

Artikulli paraprakBerisha: Pika e fortë e premtimit të Bashës, Rama pa program
Artikulli tjetërKontratat koncesionare, ekspertët: Duhet transparencë dhe garanci për financat publike