Kontrata me qeverinë, shtojca 44 akuzon policinë në lidhje me sigurinë e TIA-s

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë që ka marrë me koncesion aeroportin “Nënë Tereza” rrëzon pretendimet e Policisë së Shtetit në lidhje me përgjegjësitë e kësaj të fundit për sigurinë në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa përcakton qartë se kush është përgjegjës për sigurinë e tij. Ervin Hodaj, drejtor i Policisë së Tiranës pak orë pas ngjarjes së super grabitjes, nxitoi të deklaronte para mediave se ishte përgjegjësi e koncesionarit që të garantojë sigurinë në aeroport, ndërsa citoi dhe marrëveshjen koncesionare mes qeverisë dhe koncesionarit mbi këtë pikë.
“Në bazë të marrëveshjes koncesionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e avionëve, ambientet hyrëse të terminalit, si dhe sallën e kamerave ÇTV, e bën në mënyrë ekskluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë. Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aeroport. Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit, si dhe salla e kamerave ÇTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ‘ICTS’, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport)”, u shpreh Hodaj.
Por është vetë kjo kontratë që përgënjeshtron pretendimet e policisë, ndërsa përcakton shumë qartë se për çështje të sigurisë brenda dhe jashtë territorit të aeroportit organi përgjegjës është Policia Kufitare.
Shtojca 44 e kontratës parashikon që për kontrollin e sigurisë dhe patrullat brenda zonës së koncesionit organi përgjegjës është shoqëria koncesionare ose operatori i caktuar me nënkontraktim. Ndërsa për kontrollin e sigurisë dhe patrullat jashtë zonës së koncesionit përgjegjësia është e policisë. Kontrata parashikon gjithashtu që policia është përgjegjëse për ndalimin e hyrjeve të paautorizuara. Por si çdo kontratë edhe në këtë rast ka vend për interpretim dhe gjykim të ndryshëm dhe me sa duket palët po shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të përcjellë fajin tek njëri-tjetri.
Në kulmin e debatit se kush është përgjegjës për sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” pas grabitjes së disa ditëve më parë, ajo që hedh dritë mbi përgjegjësitë e palëve është kontrata mes qeverisë dhe koncesionarit Tirana Airport Partners. Kjo marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit Tirana Airport Partners, që ka hyrë në fuqi më 2004-ën dhe është rishikuar në prill të këtij viti me ndryshimin e vetëm heqjen e ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare. Pika 12 e saj është për sigurinë dhe mbrojtjen dhe në të përcaktohet se shoqëria do të jetë përgjegjëse për sigurinë në zonën e koncesionit. Më tej, pika 12 saktëson se “Në përmbushjen e këtij detyrimi shoqëria do të veprojë në përputhje me procedurat dhe funksionet e përshkruara në shtojcën 39 (Sistemi i administrimit të ruajtjes së aeroportit) dhe shtojcën 44 (Siguria dhe kontrolli i bagazheve)”.
Në kontratë janë të përcaktuara funksionet e ruajtjes dhe sigurisë në kolonat përkatëse. Për kontrollin e sigurisë dhe patrullat brenda zonës së koncesionit (përfsh. kontrollin e perimetrit) organi përgjegjës është shoqëria ose operatori i caktuar me nënkontraktim. Kontrolli i sigurisë dhe patrullat jashtë zonës së koncesionit (përfsh. zonën me zhvillim të kufizuar) është përgjegjësi e Policisë Kufitare. Një tjetër kolonë e tabelës është ndalimi i hyrjeve të paautorizuara, ku organi përgjegjës është Policia Kufitare.

Artikulli paraprakPresidenti apel Kuvendit: Hetoni skandalin e grabitjes në aeroport
Artikulli tjetërBileta ku ngec Rama