Konte në histori!

Mbrëmje historike për Chelsea-n dhe mbi të gjitha për Antonio Konten. Me fitoren 0-1 në fushën e West Bromwich Albion që nuk kishte më objektiva të mbetur në këtë kampionat, blutë e Londrës fituan titullin kampion në Premier League-n angleze. Mitchy Batshuayi vetëm 7 minuta pasi u hodh në fushë në vend të Pedro Rodroguezit devijoi në rrjetë asistin e Azpilicuetas, duke shënuar golin që zyrtarizoi trofeun më të rëndësishëm të futbollit anglez për Chelsea-n.
Titull i fituar dy javë përpara mbylljes së kampionatit, në një sezon të nisur me vështirësi, por të karakterizuar nga një ecuri fantastike. Vetëm shtatë muaj më parë qëndrimi i Kontes në stolin e Chelsea-t ishte seriozisht në dyshim. Tetorin e kaluar, të gjithë prisnin shkarkimin e trajnerit italian, me blutë që ndodheshin në mesin e tabelës dhe shumë të distancuar nga kryesuesit.
Londinezët vinin nga një merkato vere jo entuziazmuese krahasuar me ato të rivalëve të Manchester City dhe Manchester United, e për më tepër ky ishte sezoni i parë i Kontes në Premier League. Pas më tepër se 200 ditëve, gjithçka u përmbys. Chelsea bëhet i pakapshëm nga rivalët e Tottenham dhe shpallet matematikisht kampion i Anglisë për të gjashtën herë në histori.
Festë, por edhe përqendrim tek e ardhmja e afërt. Kjo edhe për faktin se me Antonio Konten në stol, për të parën herë në histori Chelsea do të provojë të fitojë dy trofe. Më 27 maj në “Wembley”, blutë luajnë edhe finalen e FA Cup përballë rivalëve të Arsenalit. Një triumf edhe në këtë duel do ta shndërronte teknikun italian në hero absolut, prej sezonit të parë në futbollin anglez.
Konte u shpreh se është mjaft i lumtur për suksesin dhe ia faturon këtë arritje, punës së palodhur të futbollistëve që ai drejton. “Merita është vetëm e futbollistëve, që kanë punuar fort dhe kanë shprehur dëshirën për të bërë diçka të madhe. I falënderoj të gjithë futbollistët për impenjimin, durimin dhe cilësinë e punës, si në fushë ashtu edhe në stërvitje. Janë sjellë si një familje e vërtetë”, tha trajneri i Chelsea-t pas suksesit. Por, përveç punës dhe disponueshmërisë së lojtarëve, për Antonio Konten ka pasur edhe një moment kyç, që ndryshoi për mirë sezonin e londinezëve. “Vendimi për të luajtur me skemën 3-4-3 ka qenë ai që ka ndryshuar sezonin tonë. Fillimi nuk ishte i mirë dhe duhej të modifikonim një modul loje për ekipin. Vendosa në favor të 3-4-3 sepse besoja se i kisha lojtarët e duhur për ta aplikuar atë”, tha trajneri italian.
Krahas lumturisë për fitoren e titullit, Konte nuk ka ndërmend të ulë ritmin dhe bën thirrje për të fituar edhe trofeun tjetër ku “Blutë e Londrës” janë  pretendentë. “Kemi zhvilluar një sezon të madh, por për të qenë fantastikë duhet të fitojmë patjetër edhe FA Cup. Vetëm më pas, mund të festojmë plotësisht, për një sezon fantastik”, u shpreh ai.
Në fund Konte ka edhe një dedikim për titullin e parë në Premiere League: “Këtë sukses ia dedikoj familjes time, sepse nuk ka qenë një vit i lehtë për to, që gjithsesi më kanë qëndruar pranë në momentet më delikate”.

Artikulli paraprak5 lëvizjet e shkëlqyera të Zidan
Artikulli tjetërAnçeloti: Gati për dushin me birra