5 lëvizjet e shkëlqyera të Zidan

Zinedin Zidan vazhdon të jetë i suksesshëm në drejtimin e Realit të Madridit dhe sivjet do të jetë përsëri në finalen e Ligës së Kampioneve. Ish-mesfushori konfirmoi se nuk është rastësisht i vlerësuar në krye të pankinës, pasi këtë edicion ka bërë pesë lëvizje që kanë ndikuar pozitivisht në ecurinë e shkëlqyer të gjigantëve spanjollë.
Elementë, që konfirmojnë edhe një herë tjetër që francezi është pjesë e elitës së trajnerëve, pavarësisht pak viteve që ka si eksperiencë…
Obsesioni i formës fizike
Sapo mori drejtimin e ekipit, Zidan tha: “Nuk më shqetëson cilësia e lojtarëve, por forma e tyre”. Ka punuar shumë në këtë aspekt dhe në verën e kaluar e shtoi stafin e përgatitësve atletikë me Antonio Pintusin, me të cilin kishte punuar kur luante si futbollist te Juventusi.
Ky i fundit u bëri një fazë të shkëlqyer përgatitore lojtarëve në SHBA dhe më tej ka kryer një seancë specifike me lojtarët thuajse çdo ditë nga 40 minuta. Bëhet fjalë jo vetëm për ushtrime, por edhe për të rigjeneruar muskujt me teknologjinë më moderne. “Jemi lodhur shumë në stërvitje, që të rezistojmë deri në fund të majit në një nivel të lartë”, tha mbrojtësi Karvahal pak kohë më parë.
Plani i rrotacionit
“Për të fituar kampionatin ose Champions-in, të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm, sidomos ata të stolit”, pati thënë Zidan. Statistikat e tregojnë një gjë të tillë, pasi ai nuk ka kursyer askënd.
Përpos formacionit bazë, i identifikuar për shkak të numrit të madh të takimeve si titullar, konfirmohet se ata kanë luajtur vetëm 60% të minutave. Janë të ashtuquajturit “rezerva” që mbulojnë 40% të minutave, duke pasur një sukses në rezultate dhe mbi të gjitha, në administrimin e formës fizike.
Aftësia si psikolog
Naço tha afro një muaj më parë që: “Zidan nuk është vetëm një trajner i aftë, por edhe një psikolog i shkëlqyer”. Këtë e konfirmon fakti që brenda ekipit nuk ka përçarje.
Madje, francezi ka arritur të mbajë të motivuar dy lojtarë si Isko dhe Morata, të cilët pretendojnë gjatë gjithë kohës formacionin, por janë shndërruar në dy “xholë” tepër të rëndësishëm. Madje, deri tani nuk kanë shprehur asnjëherë pakënaqësi, por kanë pasur një motivim ekstra, kur u është dhënë mundësia për të qenë në fushë nga minuta e parë.
Trajtimi i Ronaldos
Një detaj që ka pasur specifikë të veçantë këtë edicion ishte raporti i Zidanit me Kristianon. Pas shumë kohësh, portugezi ka pranuar pa polemika rrotacionin, duke qëndruar pushim. Por, sulmuesi e ka kuptuar se kjo i ka dhënë mundësinë që të shkëlqejë kur të zbresë në fushë, pasi tashmë është 32 vjeç.
Golat e tij kundër Bajernit dhe Atletikos erdhën si produkt i administrimit të mirë që i bëri formës fizike Zidani dhe Antonio Pintus. “Golat e mi? Sekretin e di vetëm unë dhe trajneri”, tha Kristiano pas ndeshjes së parë me Atletikon. Sivjet ai ka luajtur 75% të minutave dhe kjo është shifra më e vogël që kur ka ardhur te Reali.
Zëvendësimet
Një trajner i madh duhet të dijë të bëjë zëvendësimin e duhur në momentin e duhur. Zizu meriton një notë tejet pozitive në këtë aspekt, pasi në pjesën më të madhe ka qenë efikas.
Mbi të gjitha, zëvendësimet e tij nuk kanë qenë “rutinë”, pasi i ndryshon në varësi të problemeve që ka hasur skuadra. Morata, Isko, Lukas Vazkez mund të konsiderohen si futbollistët që nuk kanë ndryshuar vetëm fatet e ndeshjeve të caktuara, por i kanë dhënë një shtysë të madhe Realit në faktin që është shumë pranë dy trofeve të rëndësishëm.

Artikulli paraprakShëndetësinë e kap gangrena e koncesioneve
Artikulli tjetërKonte në histori!