Ançeloti: Gati për dushin me birra

Konferenca për shtyp e trajnerit të Bajernit, Karlo Ançeloti, nisi me një falënderim për Holger Badshtuber. “Pas sezonit të fundit të tij nën pronësinë tonë, kjo aventurë merr fund, pavarësisht se lojtari ishte i huazuar te Shalke. Përfitoj ta falënderoj për 15 vitet plot profesionalizëm që ai i kushtoi Bajernit”.
Më pas, Karlo iu rikthye temave të aktualitetit bavarez duke iu përgjigjur pyetjeve për ndeshjet ku pritet që Rafinja të zërë vendin e kapitenit Lahm: “Në krah të djathtë mund të luajë Rafinja, por edhe Kimish ka treguar se di të sillet mjaft mirë në atë rol. Nuk e kam vendosur ende, por kushdo që do të luajë, do ta zëvendësojë më së miri Lahmin”.
Me kampionatin e siguruar, Karleto pranon t’i përgjigjet edhe ngacmimeve që vijnë për merkaton bavareze, sidomos në lidhje me dy Sançezat, Renaton dhe Aleksin: “Portugezi do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm me ne, ndërsa për lojtarët që nuk janë nën pronësinë tonë nuk mund të komentoj asgjë. Vera dhe merkato janë përpara”.
Duke folur për portugezin, trajneri italian nuk kursen edhe kritikat: “Nga Renato prisnim më shumë, por është ende i ri, ndaj do të ketë kohë të na vërtetojë se sa i aftë është”. Për sa i përket grindjes në stërvitje mes Frenk Riberisë dhe disa lojtarëve, ndër të cilët Duglas Kosta dhe Vidal:
“Frenk do gjithmonë të fitojë, edhe në stërvitje nuk toleron. Sigurisht, me përvojën që ka, duhet të ruajë shokët e skuadrës, por të tilla gjëra ndodhin në çdo ekip ku fitorja është gjithnjë primare”.
Në fund të konferencës, Ançeloti u shpreh i gatshëm edhe për “dushin e bardhë”, që është “lufta” me birrë e zakonshme për bavarezët, sa herë që fitojnë një trofe të rëndësishëm: “Jam gati për çdo festë. Jemi lodhur dhe kemi sakrifikuar për të arritur deri këtu. Do të dëshiroja një festë të paraprirë nga fitorja në fushën e lojës për të festuar sa më bukur”.

Artikulli paraprakKonte në histori!
Artikulli tjetërRinovimi i Zidane, tek Reali deri në vitin 2020