Komploti për të rrëzuar presidentin

Patrick J. Buchanan

Mbi një vit pasi FBI-ja filloi të hetojë “lidhjen” ndërmjet fushatës së Trumpit dhe Vladimir Putinit, Robert Mueller ka paraqitur padinë e tij të parë. Menaxheri i fushatës së Trumpit, Paul Manafort është akuzuar me një sërë krimesh të vjetra, edhe pse asnjë prej tyre nuk ka asnjë lidhje me fushatën e Presidentit Donald Trump të vitit 2016.
Përmes një lajmërimi në CNN ku paralajmërohej se padia do të bëhej shumë shpejt, zyra e Mueller u bë qendra e lajmeve të fundjavës dhe më fund doli në pah komploti për të rrëzuar presidentin që kishte nisur që dy vite më parë.
Njëlloj si në filmin “Vrasje në trenin Orient Express” duket sikur të gjithë pasagjerët në tren kanë gisht në komplot. Narrativa fillon që në tetor të vitit 2015. Pikërisht atëherë, “Washington Free Beacon”, një faqe neokonservatore, angazhoi një firmë kërkimore të emërtuar Fusion GPS për të gërmuar çdo gjë të pistë në jetën profesionale dhe personale të Trumpit dhe për ta rrëzuar atë.
Si degë e “Weekly Standard” e Bill Kristolit, faqja Beacon drejtohet nga dhëndri i Kristolit. Që nga tetori i vitit 2015 deri në maj të vitit 2016, Fusion GPS filloi gjuetinë për çdo gjë të pistë që mund të gjente, për llogari të anti-Trumpëve. Fatkeqësisht për ata, deri në muajin maj Donald Trump ishte bërë kandidati zyrtar i republikanëve. Beacon u largua shpejt nga beteja dhe Fusion GPS gjeti dy financues të rinj për të vazhduar gjuetinë: Komitetin Kombëtar të Demokratëve dhe fushatën e Hillary Clinton.
Për ta mbajtur biznesin e pistë jashtë telasheve, të dy angazhuan firmën ligjore “Perkins Coie”. Pasi ishte paguar nga komiteti i demokratëve dhe fushata e Clintonit me plot 12,4 milionë dollarë, Perkins përdori një pjesë të parave për të financuar Fusion GPS. Këtu gjërat filluan të bëheshin interesante.
Në qershor të vitit 2016, Fusion GPS angazhoi një spiun britanik, Christopher Steele, i cili kishte drejtuar degën ruse të MI6-ës, për të zbuluar çdo lidhje të mundshme ndërmjet Trumpit dhe Rusisë. Steele filloi të kontaktojë njohjet e tij tek FSB, shërbimi rus i inteligjencës dhe rusët filluan t’i ofronin atij pisllëqe pafund për Donald Trump që, nëse përdoreshin siç duhej, mund të shkatërronin kandidaturën e tij.
Ndër të tjera u pretendua se Trump kishte qëndruar me disa prostituta në një hotel në Moskë, se Kremlini i bënte shantazh dhe se kishte përplasje të vërtetueshme ndërmjet fushatës së Trumpit dhe Rusisë. Në kontaktet e muajve qershor-tetor 2016, Steele i kalon Fusin GPS informacione të tilla, e cila më pas ia kalonte gazetave amerikane, por duke qenë se shtypi nuk arrinte dot të vërtetonte asnjë prej informacioneve, refuzoi t’i publikonte ato.
Produkti final i Steele, një dosje prej 35 faqesh, është përshkruar si një mal me akuza të paprovuara dhe të ndyra. Kërkimi i Steele kishte arritur ndërkohë edhe në duart e James Comey, kreut të FBI-së, i cili duket se është tronditur aq shumë sa ka vendosur që Steele të paguhej nga byroja për të vazhduar hetimin e tij.
Lidhur me këtë “zhvillim” të jashtëzakonshëm, reporteri Byron York i “Washington Examiner” citon senatorin Chuck Grassley i cili thotë: “Ideja që FBI-ja dhe bashkëpunëtorët e fushatës së Hillary Clintonit mund të paguajnë një spiun për të hetuar kandidatin republikan për president përpara zgjedhjeve, ngre pikëpyetje të shumta për pavarësinë e FBI-së nga politika si dhe përdorimin e agjencive të inteligjencës dhe të zbatimit të ligjit nga ana e administratës Obama për qëllime politike”. Pikëpyetjet fillojnë të shtohen.
Cila ka qenë marrëdhënia e FBI-së me spiunin britranik, i cili ka qenë punësuar nga inteligjenca ruse? I ka përdorur FBI-ja informacionet e “zbuluara” nga Steele si bazë hetimin e saj lidhur me përplasjen mes Trumpit dhe Rusisë? I ka dorëzuar FBI-ja informacionet e Steele tek Shtëpia e Bardhë dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare? I ka përdorur administrata Obama këto informacione për të justifikuar nxjerrjen e emrave të zyrtarëve të Trumpit që janë përftuar nga përgjimet e paligjshme?
Në një dëshmi përpara Komitetit të Inteligjencës së Senatit, kreu i fushatës së Clintonit, John Podesta dhe kreu i Komitetit Kombëtar të Demokratëve, Debbie Wasserman Schultz pretenduan se nuk ishin në dijeni që firma ligjore Perkins Coie kishte angazhuar Fusion GPS apo spiunin britanik për të gjetur informacione të pista për kandidatin Trump.
Megjithatë, kur Podesta dha dëshminë e tiij, avokati që i qëndronte në krah në sallën e komitetit ishte Marc Elias i Perkins Coie, firma që kishte angazhuar Fusion GPS dhe kishte përfituar nga puna e kamufluar e spiunit britanik. Në këtë pikë, të vjen ndërmend Bismarku, i cili ka thënë se nëse do të shijosh politikën ose salçiçet, nuk duhet të dish se si bëhen.
Kështu, mund të themi se një kastë e tërë e anti-trumpëve, fushatës së Hilary Clintonit, Komitetit Kombëtar të Demokratëve, spiuni britanik dhe kolegët e tij të inteligjencës ruse (ndoshta edhe vetë FBI), kanë punuar në fshehtësi duke përdorur para dhe individë të dyshimtë për të shkatërruar një kandidat që nuk mund ta mposhtnin dot në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nëse hetimet e mëtejshme vërtetojnë se ngjarjet kanë rrjedhur pikërisht kështu, problemi nuk do të jetë vetëm i Shtëpisë së Bardhë. Nëse doni të dini përse amerikanët e urrejnë politikën dhe “moçalin” në të cilin është kthyer kryeqyteti i tyre, ndiqeni këtë histori deri në fund. Gjatë muajve të ardhshëm do të dalin fakte të tjera dhe nën hetim nuk do të jetë një president, por një sistem i tërë i politikës amerikane.

Artikulli paraprakBE kritikon Serbinë për emërimin e Llazareviqit në akademinë ushtarake
Artikulli tjetërMandzukiç mund të luajë kudo