BE kritikon Serbinë për emërimin e Llazareviqit në akademinë ushtarake

Bashkimi Evropian paralajmëroi Serbinë se emërimi i një gjenerali, i cili ka qenë i dënuar për krime lufte, si ligjërues i një akademie ushtarake, është kundër parimeve të BE-së, ku Serbia synon të anëtarësohet.
Gjenerali i pensionuar, Vlladimir Llazareviq, është dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali për Krime Lufte i Kombeve të Bashkuara, për mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-‘99.
Llazareviq është liruar në vitin 2015, pasi ka shërbyer dy të tretat e dënimit.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq, tha përmes një deklarate se blloku pret që “udhëheqësit politikë të respektojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor”.
“Liderët politikë duhet t’i udhëheqin të gjitha përpjekjet për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur besimin e ndërsjellë, dialogun dhe tolerancën”, tha Koçijançiq.
“Serbia, si vend kandidat për BE-në, nuk mund të devijojë nga këto parime. Emërimi i një krimineli të dënuar për krime lufte në Akademinë Ushtarake të Serbisë është kundër këtyre parimeve”, shtoi Koçijançiq.
Llazareviq ka mbajtur ligjëratën e parë në akademi javën e kaluar. Ligjërata është titulluar: “Heroizmi dhe humanizmi i ushtarëve serbë në mbrojtjen kundër agresionit të NATO-s”.

Artikulli paraprakZgjaten sërish procedurat e azilkërkuesve
Artikulli tjetërKomploti për të rrëzuar presidentin