Klinton apo Trump?

Vetëm katër për qind e gjermanëve do të zgjidhnin Trumpin. Shumë druhen se marrëdhëniet gjermano-amerikane nën Trumpin do të përkeqësoheshin.
Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, një shumicë dërrmuese e gjermanëve shprehet në mbështetje të Hillary Clintonit. Kjo rezulton nga “Tendenca në Gjermani”, një sondazh reprezentativ, të cilin instituti që studion opinionin Infratest dimap e zhvillon çdo muaj me shtetasit gjermanë me të drejtë vote, mbi moshën 18 vjeç. 75 për qind e të pyeturve bënë të ditur se do të zgjidhnin Clintonin, po të kishin mundësi të votonin. Megjithatë, në krahasim me një muaj më parë, Clintoni humbet dukshëm mbështetje, humbet 11 pikë. Vetëm katër për qind e të pyeturve mbështesin rivalin e Clintonit, Donald Trumpin.
Nëse Trumpi do t’i fitonte zgjedhjet, më shumë se treçereku i të pyeturve druhet se do të pasojë një keqësim i marrëdhënieve gjermano-amerikane. Ndërsa vetëm dy për qind e të pyeturve besojnë se fitorja e Trumpit do ta përmirësonte partneritetin transatlantik.
Nëse amerikanët do të votojnë për Clintonin, 80 për qind e të pyeturve mendojnë se nuk do të ndryshojnë shumë gjëra në marrëdhëniet midis SHBA dhe Gjermanisë. 12 për qind madje besojnë se do të ketë një përmirësim të marrëdhënieve, në një kohë kur 5 për qind presin pasoja negative.

Koalicioni qeveritar nën kritika
Infratest dimap pyet si gjithmonë edhe për kënaqësinë e shtetasve me punën e qeverisë: kritika ndaj koalicionit të madh qeveritar është shtuar që prej sondazhit të fundit: aktualisht, të kënaqur janë katër nga dhjetë qytetarë (minus pesë për qind), në një kohë që 50 për qind shprehen në mënyrë kritike.
Megjithatë, atmosfera politike mbetet në pjesën më të madhe e pandryshuar: nëse sot do të ishin zgjedhjet parlamentare në Gjermani, CDU dhe CSU do të merrin 33 për qind të votave, SPD do të mbetej në 22 për qind të votave. Forca e tretë politike do të ishte AfD me 13 për qind. Pak pas saj vijnë të Gjelbrit me 12 për qind, si dhe e Majta me 9 për qind dhe FDP, 6 për qind.
48 për qind e qytetarëve janë që të vazhdojë qeverisjen koalicioni në pushtet, kurse 50 për qind e shohin punën e koalicionit në mënyrë kritike. Megjithatë nuk ka as mbështetje për aleanca të tjera të mundshme qeveritare.

Artikulli paraprakAssange do të merret në pyetje javën e ardhshme
Artikulli tjetërSHBA në gatishmëri