Assange do të merret në pyetje javën e ardhshme

Zyra e prokurorit publik të Suedisë tha se, themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, do të merret në pyetje, nën akuzat për përdhunim, në ambasadën e Ekuadorit në Londër më 14 nëntor.
“Ekuadori i ka miratuar Suedisë kërkesën për ndihmë juridike në çështje penale dhe intervista do të bëhet nga një prokuror i Ekuadorit”, tha përmes një deklarate Prokuroria suedeze.
Disa prokurorë suedezë janë lejuar të marrin pjesë në intervistë, për t’i raportuar më pas gjetjet te qeveria e Suedisë.
Assange, shtetas australian, ka refuzuar të udhëtojë në Suedi për t’u marrë në pyetje, nga frika se do të ekstradohet në SHBA, ku kërkohet për publikimin e mijëra dokumenteve sekrete në uebfaqen WikiLeaks.
Assange ka kërkuar strehim në ambasadën e Ekuadorit në Londër më 2012, pas akuzave për përdhunim në Suedi, që datojnë nga viti 2010.

Artikulli paraprakAksion në Ballkan kundër terrorizmit, Kosova në alarm
Artikulli tjetërKlinton apo Trump?