KLD, dy akuza ndaj Tahirit në Prokurori

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar në Prokurori padinë penale ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për dy akuza: fyerje dhe kanosje të gjyqtarit Arjan Aliaj për shkak të detyrës. “Tahiri ka fyer dhe ka kanosur gjyqtarin Arjan Aliaj. Për këto deklarata dhe të tjerat pas kësaj, me një fjalor më të rënduar ndaj gjyqtarit Aliaj dhe trupës gjyqësore në tërësi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duhet të mbajë përgjegjësi penale”. Kështu thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj ministrit Tahiri. Kallëzim ky që pasditen e së hënës është dorëzuar në protokollin e Prokurorisë së Përgjithshme nga posta sekrete. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë citon se deklarime të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje.
Me anë të këtij denoncimi, KLD-ja kërkon nga Prokuroria të ndjekë penalisht ministrin Tahiri për akuzat e “fyerjes së gjyqtarit” për shkak të detyrës dhe kanosjes duke intimiduar në tërësi gjyqtarët. Ky kallëzim vjen pas reagimeve të shumta të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit Tahiri ndaj gjyqtarit.
Veç shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka reaguar edhe KLD-ja, e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit. Për këtë fakt, anëtarët e KLD-së në një mbledhje të zhvilluar gjatë fundjavës, jashtë radhës së parashikuar, vendosi të kallëzojë penalisht ministrin. Bashkë me kallëzimin mësohet se, drejtoria juridike e KLD-së i ka bashkëngjitur edhe deklaratat publike të ministrit Tahiri, që fyen e denigron gjyqtarin për vendimin e dhënë. Gjyqtari Arjan Aliaj, paraditën e 7 qershorit, me kërkesë të Prokurorisë vendosi të pezullojë nga detyra e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çakon për skandalin e përgjimeve, pasi po hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në katër ditë Saimir Tahiri doli gjashtë herë në konferencë për shtyp për të hedhur baltë mbi prokurorët dhe gjyqtarin Arjan Aliaj që pezulloi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe vendosi “arrest shtëpie” për dy oficerët e forcave operacionale për skandalin e përgjimeve me “IMSI Catcher”. Sulmet e Tahirit ndaj prokurorëve dhe gjyqësorit nuk kanë si qëllim mbrojtjen e Çakos, por frikën që e ka zënë atë se Çako do ta marrë me vete.
Sulmi i përqendruar i ministrit të Brendshëm mblodhi jashtë radhe dhe në një ditë pushimi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili vendosi ta kallëzojë penalisht për intimidim të gjyqtarit Aliaj në veçanti dhe trupës gjyqësore në tërësi. Por si arriti Tahiri deri në kallëzimin penal? Tre orë pas pezulllimit ministri i Brendshëm i merr në mbrojtje zyrtarët e policisë, duke paragjykuar hetimin e Prokurorisë.
Më 8 qershor organizoi tri konferenca për shtyp me të njëjtin objekt, sulmin ndaj Aliajt. Akuzat e ministrit të Brendshëm përfshinë edhe kryetarin e Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj. Sulmi i ministrit të Brendshëm për këtë çështje nuk kurseu as Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Por të enjten e kaluar organizoi një tjetër dalje para mediave. Saimir Tahiri e konsideroi vendimin e gjykatës një paçavure dhe një qokë politike.
Dje, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka sulmuar KLD-në pas padisë së bërë ndaj tij në Prokurori. Në një konferencë për mediat, Tahiri vazhdoi sërish me “arsenalin e padenjë të fjalëve”, që ia vuri në dukje KLD-ja, duke e emërtuar këtë institucion si “Këshilli i Pasurisë dhe Padrejtësisë”.
Këto sulme të ministrit të Brendshëm bënë që pasditen e të shtunës kryetari i KLD njëherësh edhe Presidenti i Republikës të thërrasë një mbledhje jashtë radhe dhe të padisë në Prokurori Saimir Tahirin.

R.POLISI

Artikulli paraprakAfera 100 milionë lekë, në pranga kryetatimori
Artikulli tjetërMe pesë emra, Elvisi, ishte edhe Ervin, dy Envera edhe Bashkim Hallulli