Afera 100 milionë lekë, në pranga kryetatimori

Drejtori i Tatimeve në Shkodër është arrestuar mesditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë pasi akuzohet se i ka kredituar subjektit të nipit të tij 100 milionë lekë të TVSH-së. Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e drejtorin Rajonal të Tatimeve, Hysen Hysaj, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Urdhri i ndalimit u zbatua nga ana e forcave të policisë vendore Shkodër. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës rezulton se, shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk.
Në bazë të veprimeve proceduriale rezulton se, shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H., i cili është djali i motrës së drejtorit Rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së. Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Në rastin konkret, shoqëria “H…”shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Nga ana e administratës tatimore rezulton se, nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti “H…”shpk nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.
Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori Rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja. Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Artikulli paraprakPD: Të inkriminuarit do të përballen me ligjin deri në fund
Artikulli tjetërKLD, dy akuza ndaj Tahirit në Prokurori