Trump rikthen autoritetin amerikan

Robert Charles

Përdorimi i gazit sarin nga ana e qeverisë siriane këtë javë në zonën që ndodhet nën kontrollin e rebelëve, Khan Sheikhoun, qoftë i urdhëruar apo jo nga qeveria e Bashar al-Assadit, shënon një pikë kthese në politikën e jashtme dhe politikës së sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump dënoi ashpër sulmin kimik duke theksuar se ka ndryshuar mendim për Assadin dhe ditën e enjte pasdite lëshoi 60 raketa në bazën ajorore Al-Sharyat në zonën e Homsit. Raportimet e fundit nga sulmi tregojnë për dëme të mëdha në bazën siriane.
Kjo përgjigje e vendosur kinetike ishte tepër e rëndësishme në shumë nivele. Kjo i thotë Assadit se loja me gazin sarin ka përfunduar. Kjo i thotë Koresë së Veriut të përmbahet sepse mund të jetë shteti tjetër në radhë. Kjo i tregon Rusisë, Kinës dhe kritikëve amerikanë se Obama ka ikur vërtet, se ditët e mosangazhimit kanë marrë fund dhe ditët e kundërpërgjigjes kinetike sapo kanë filluar. Amerika nuk do të rrijë më e ulur në heshtje.
Si ish-asistent i sekretarit të Shtetit dhe zyrtar i inteligjencës së marinës, e njoh vështirësinë e balancimit të kundërpërgjigjes kinetike dhe demokracisë dhe mundësinë e gabimeve të mëdha. Presidenti Trump arriti të gjejë balancën ideale. Ai e bëri të qartë kundërshtimin e tij ndaj përdorimit të gazit sarin, vendosi pritshmëri globale për ndryshimin e diplomacisë dhe kundërpërgjigjes dhe ofroi shpagimin që kishte premtuar, duke u zotuar se vazhdon të qëndrojë plotësisht i angazhuar.
Kjo nuk është një fitore aksidentale, është kritike. Kundërpërgjigjja e besueshme ndaj gazit sarin varej nga reagimi i fortë i Shteteve të Bashkuara, veçanërisht pas qëndrimit zhgënjyes të së shkuarës. Përdorimi i gazit sarin nga Assadi, agjenti nervor i shpikur nga nazistët në vitin 1939, përfaqëson një ndryshim rrënjësor diplomatik.
Trump e kuptoi menjëherë këtë. Agjentët nervorë janë ndaluar që pas Luftës së Parë Botërore, për shkak të efekteve të tmerrshme që sjellin. Fotografitë e publikuara nga Kombet e Bashkuara këtë javë, përfshirë ato të fëmijëve që vdesin nga gazi sarin konfirmuan horrorin që imagjinohej nga të gjithë. Presidenti Trump nuk hezitoi dhe i përçoi të gjithë botës një mesazh të qartë: “Mos kujtoni se po luaj blofin! Ja ku e keni një goditje që ta dëgjojë e gjithë bota – në fakt, 60 të tilla!”. Pritet që Kombet e Bashkuara të dënojnë sulmin kimik bashkë me një thirrje të unifikuar drejtuar Rusisë për të hequr dorë nga mbrojtja e Assadit.
Thënë kjo, sulmet amerikane kundër bazës ajrore siriane ishin pa dyshim të planifikuara mirë dhe proporcionale. Ato treguan se sa lehtë mund të arrijë Amerika, po të dojë, të pushtojë bazat ajrore ruse e siriane, përmes penetrimit të lehtë të hapësirës ajore siriane pa iu dridhur dora. Rusia nuk ka për ta harruar këtë!
Situata të sjell ndërmend sulmin e Reaganit kundër Libisë në vitin 1986 dhe të Izraelit kundër centralit bërthamor iraken në vitin 1981. Sulmi i Reaganit kundër Libisë më 1986-ën, Operacioni El Dorado, ishte një kundërpërgjigje kundër bombardimit të një diskoteke në Berlin nga Libia, presidenti nuk humbi aspak kohë dhe e goditi Muammar Qaddafin. Jo çuditërisht, Qaddafi nisi menjëherë reformat e brendshme, atë që u quajt si “revolucioni brenda revolucionit”. Reagani ndryshoi rregullat e lojës. Po kështu, sulmi i vitit 1981 kundër Irakut, Operacioni Opera, kishte për qëllim të arrinte efekte materiale dhe ia doli.
Çfarë presim më pas? Angazhim të vazhdueshëm dhe konstruktiv. Prioriteti kryesor është t’i japim fund përdorimit të gazit sarin përgjithmonë. Ky sulm mund të jetë i mjaftueshëm për t’ia arritur qëllimit, por mund edhe mos të jetë. Përgatituni për një tjetër! Nëse duhet një sulm tjetër, kësaj radhe do të godasë komandën, kontrollin, komunikimet, kompjuterët dhe inteligjencën siriane.
Kështu, sulmi tjetër kinetik mund të godasë Drejtorinë e Inteligjencës së Forcave Ajrore siriane ose Byronë Kombëtare të Sigurisë, dy institucione të përfshira në sulmet kimike të mëparshme. Ish-gjenerali sirian, Adnan Sillou, ka thënë dikur se: “Vetëm dy persona kanë autoritetin e nevojshëm për të urdhëruar sulme kimike përveç Assadit… kokat e këtyre dy institucioneve”. Një tjetër mundësi është të goditet njëri ose të dy, përmes një sulmi të fortë kibernetik.
Diplomatikisht, kundërpërgjigjja kinetike, strategjia e re amerikane dhe dënimi ndërkombëtar universal kundër Assadit duhet të përdoret për të bindur Rusinë të mos mbështesë më liderin sirian. Ky duhet të jetë prioriteti i sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson kur të vizitojë Moskën muajin e ardhshëm. Tani ai ka kapitalin e nevojshëm për të punuar.
Presidenti Trump po rivendos lidershipin moral të Amerikës, siç bëri dikur presidenti Reagan. Ky event nxori në pah kapacitetin e tij dhe të gjithë duhet të jemi të kënaqur për këtë. Ai e dëgjoi thirrjen, nuk hezitoi, nuk u mor me deklarata dhe nuk u kundërpërgjigj në Twitter.
Ai bëri atë që do të kishte bërë Ronald Reagan. I doli situatës përballë, i besoi diplomatëve të tij të lartë dhe liderëve ushtarakë për pritshmëritë globale dhe lëshoi një grusht në zemër. Mesazhi u dërgua. Të shpresojmë që ky mesazh të jetë dëgjuar pastër në krahun tjetër dhe shpejt do të kuptojmë nëse ka arritur deri në Moskë.
I duhet njohur meritë e jashtëzakonshme ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson dhe sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis për gatishmërinë e tyre. Teksa diplomacia ngrihet në nivelet optimale, Amerika duhet t’i japë Rusisë të gjitha arsyet për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar për të përshpejtuar largimin e Assadit. Gazi sarin është i patolerueshëm, pikë. Kjo e bën Assadin të patolerueshëm gjithashtu.
E vetmja gjë që ka mbetur për t’u bërë është një fjalim i stilit të Reaganit nga Zyra Ovale ku shpjegohet se bota e civilizuar nuk do të tolerojë më përdorimin e gazit sarin dhe – në 100-vjetorin e hyrjes së Amerikës në Luftën e Parë Botërore – ky lloj nuk do të lejohet më kurrë. Amerika është ringritur si lider moral dhe duhet të ftojë edhe një herë botën t’i bashkohet.

Robert Charles është ish-asistent i sekretarit të Shtetit në administratën e presidentit George W. Bush. Ai ka shërbyer në administratën e Reganit dhe Bushit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakAmerika, një sistem i themeluar mbi liritë
Artikulli tjetërKhan Sheikhun, qyteti fantazmë