Këshilltari i Trump: Basha, është alternativa e vetme

Këshilltari i Trump për politikat e jashtme dhe sigurinë, Bob McEwen ftoi dje shqiptarët të votojnë Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike si të vetmen alternativë për shqiptarët, të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë gjithashtu. McEwen ishte dje në hapjen e fushatës së PD në Lezhë bashkë me kreun e PD, Basha dhe kreun e PR, Mediu e aleatët.
Duke u folur qytetarëve lezhjanë, këshilltari i Trump bëri dallimin mes socializmit dhe demokracisë, ku të majtët kanë filozofinë e mbajtjes së pushtetit dhe parave në duart e tyre, ndërsa demokratët si pushtetin ashtu paratë i lënë në duart e qytetarëve.
“Ju sjell përshëndetjet nga shumë miq në Amerikë. Kudo që shkon nëpër botë dhe takon liderë të biznesit, ka shumë shqiptarë që i takon atje. Ishte nga ky mal ku i madhi Skënderbe tha se shqiptarët duan të jenë të lirë. Tani është radha jonë. Ka vetëm dy ide politike: një është që qeveria ka paratë dhe pushtetin dhe qeveria u thotë njerëzve se ç’duhet të bëjnë, nëse sheh në fjalor kjo quhet: socializëm. Ka dhe një ide tjetër dhe kjo është njerëzit kanë paratë dhe pushtetin dhe ata janë që i tregojnë qeverisë se ç’duhet të bëjnë, kjo është demokracia”, tha McEwen.
“Në çdo vend, në çdo kohë ka një luftë konstante ku qeveria u thotë njerëzve se ç’duhet të bëjnë dhe ndërmjet tjetrës që njerëzit duhet t’i thonë qeverisë se ç’duhet të bëjnë, dhe këtu është pika kritike. Nëse qeveria ka paratë dhe pushtetin, njerëzit janë të varfër. Në demokraci nëse njerëzit kanë para dhe pushtetin atëherë ata bëhen të pasur. Për 50 vjet pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët vuajtën në socializëm, më 1990 idetë demokratike u shfaqën dhe ne pamë se çfarë ndodhi. Gjatë qeverisë demokratike ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme me miliarda dollarë dhe investime të huaja që kanë ardhur në Shqipëri, sepse koalicioni ishte i ndershëm. Pjesa tjetër e botës ka pasur admirim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, duke ndërtuar gazsjellësin Shqipëria bëhet një partner strategjik në Europë”.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve të shohin përpara me alternativën e Partisë Demokratike, ndërsa përmendi disa nga arritjet kryesore të qeverisjes së djathtë siç ishte anëtarësimi në NATO apo investimet gjigante që morën jetë nën këtë qeverisje.
“Kur SHBA dhe Europa donin një partner dhe aleat zgjodhën Shqipërinë dhe e bënë anëtare të NATO, sepse ata i besuan aleancës me Partinë Demokratike. Sali Berisha, Lulzim Basha si ministër i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe tani ne jemi përballë një vendimi, duhet që të shkojmë tek socializmi dhe varfëria apo do të shkojmë tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek një qeveri e ndershme, tek ekonomia që rritet, me para për njerëzit dhe jo për qeverinë. Kjo nënkupton një gjë, gjithë bota po sheh se ç’ndodh këtu, ne që e duam Shqipërinë lutemi për të. Ne nuk ishim këtu kur ishte Skënderbeu, lufta që ne do të bëjmë nuk është me plumba, por do të jetë me votën. Nëse doni vendin tuaj, nëse doni fëmijët tuaj, nëse doni Shqipëri të fortë dhe të respektuar, atëherë në këto 28 ditët e ardhshëm duhet të bëni çdo gjë që është në fuqinë dhe në pushtetin tuaj, të merrni çdo njeri dhe në çdo derë, të bëni çdo gjë që është e mundur që Basha të jetë Kryeministër i Shqipërisë”, tha këshilltari i Trump.

Basha: Ndryshimi i Shqipërisë kërkon vendime të forta

Nga Lezha, ku hapi fushatën elektorale, kreu i PD, Basha shprehu angazhimin për të kthyer faqen e historisë së Shqipërisë përmes Republikës së re, ndërsa deklaroi se ndryshimi i Shqipërisë kërkon marrjen e vendimeve të forta dhe të vështira. “Mos e ndalni hapin, betejën që nisëm duhet ta çojmë deri në fund. Jemi të bashkuar. E nesërmja e sigurtë dhe ekonomia e fortë është tashmë në duart tuaja. Më 25 qershor ju vendosni, ju e keni në dorë. Unë e di se ju që ngritët çadrën e lirisë me një historike epike qëndrese dhe bashkimi, sot jo vetëm që nuk jeni lodhur, por jeni më të fortë.
Kur qytetarët bashkohen, ata e kanë në dorë fatin e tyre. Ne jemi të bashkuar, ata janë të përçarë, por mbi të gjitha ajo që nisëm më 18 shkurt e që vazhdon sot është bashkimi më i madh i shqiptarëve, lëvizja e shqiptarëve për Republikën e re që do të përmbysë teatrin e shëmtuar të kukullave që luhet 25 vite në kurriz të shqiptarëve. Fitorja e vitit 2017 kërkon ekipin e vitit 2017. Kam bërë atë që premtova dhe atë që qytetarët prisnin, ndryshimin brenda nesh. Ndryshimi i Shqipërisë do të kërkojë vendime të forta dhe të vështira. Do të kërkojë t’i japim fund pazarit të shëmtuar politik, dreka e darkave me ngjala e me peshk. Menduan si e si për pushtetin e tyre, për interesat e tyre, për madhështinë, ndërkohë që zhytën Shqipërinë në një depresion të parë ekonomik e social”, tha Basha. Basha tha se Rama në 4 vite nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka dalë në televizor duke ekspozuar palmat e pllakat dhe shtoi se me Republikën e re çdo gjë do të jetë ndryshe. “E kemi parë këtë 4 vite ditë për ditë në televizor duke bërë ekspozita, e kemi parë duke luajtur me top, e kemi parë duke shkuar në ndeshje futbolli, po s’e kemi parë asnjë ditë me mëngë të përveshura duke i qarë hallin shqiptarëve. I keni parë fotot që hedh në Facebook, pllaka e palma, për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht. Zgjodhi palmat, fasadën, por kjo do të marrë fund me mua kryeministër. Në Republikën e re nuk do të ketë më palma, pa mbyllur në fillim plagët reale të shqiptarëve. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë suaj. Nuk mban më ujë pilafi”, tha Basha. “Lulzim Basha është gati t’ju udhëheqë drejt shkërrmosjes së pushtetit të politikanëve dhe kthimit të tij tek ju. Merreni Lezhën në dorë më 25 qershor. Të bashkohemi për Republikën e re, Zoti i bekoftë Lezhën. Fitore”, tha në fund të fjalës së tij Basha. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar sërish listat e kandidatëve për deputetë, duke sqaruar se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe ky ndryshim fillon nga vetja. Gjatë fushatës elektorale në Lezhë, i shoqëruar nga ekipi i kandidatëve demokratë për deputetë në këtë qark, Basha kërkoi përsëri ndjesë për gabimet e PD gjatë qeverisjes. Ai theksoi se ishte vendim i vështirë mospërfshirja në lista e figurave historike të Partisë Demokratike.

Do jem kryeministri i njerëzve, i punësimit dhe ekonomisë së fortë

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Qarkun e Lezhës. Lideri i Republikës së Re tha se më 25 Qershor shqiptarët do votojnë për një ekonomi të fortë për të pasur një shtet të fortë. Basha kërkoi votën për të qeverisur vendin jo me palma e pllaka, por me ulje taksash e vende të reja pune.
“Me mua kryeministër në Republikën e Re nuk do të ketë më palma, nuk do të ketë më fasada pa mbyllur në fillim plagët dhe hallet e shqiptarëve, duke filluar me uljen e taksave. Ulja e taksave, ulja e TVSH-së jo vetëm do të lehtësojë jetët e njerëzve, por do të mundësojë po kështu që miliona euro që sot struken nga frika e taksave apo zhbëhet nga frika e falimentimeve i ndërmarrjeve, të qarkullojnë në Lezhë e mbarë Shqipërinë. Të hapim vende pune, të rrisim konsumin, të shtojmë paratë në xhepat tuaja. Ky është prioriteti im i parë. Nuk ka Shqipëri të fortë pa ekonomi të fortë. Unë do të jem kryeministri i punësimit tuaj”, tha Basha.
Lideri demokrat Lulzim Basha tha se, Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që të punojë për shqiptarët e të jetojë me hallet e tyre.
“Nuk mban më ujë pilafi. Shqipëria ka nevojë për një ekip, për një program dhe për një kryeministër që të vërë ekonominë në punë, që të ulë taksat, të punojë për njerëzit, që të rregullojë shëndetësinë, arsimin dhe të bëjë të mundur studimin e çdo të riu dhe të reje pavarësisht prej mundësive ekonomike. Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që nuk e ka mendjen tek telajo, por tek e ka mendjen, sytë, veshët e shpirtin tek ju. Unë do të jem ai kryeministër. Unë do të jem kryeministri juaj, i lezhjanëve dhe i gjithë shqiptarëve. Do të punoj me mish e me shpirt e bashkë do ta kthejmë Shqipërinë dhe rrotën e historisë edhe njëherë siç bëmë të mundur në ditët më të vështiram kur shpresa dukej se kishte humbur”, u shpreh Basha.

Artikulli paraprakSulm terrorist në bulevardin e Tiranës?
Artikulli tjetërSherr me thika në Korçë, dy përfundojnë në spital