Kërcënohet me jetë Higuain

Po çfarë roblemi muskulor në kofshë, rendiment i dobët përpara portës – shumë herë më i ulët sesa pritshmëria, apo qoftë edhe momenti i vështirë me kombëtaren që mund të ketë ndikuar psikologjikisht tek ai…! Me sa duket, ato që po e mbajnë në ankth Gonzalo Higuainin, të paktën siç referon revista prestigjioze italiane “Novella 2000”, janë disa kërcënime të rënda dhe të rrezikshme me jetë, anonime, aq sa ato kanë detyruar lojtarin që të mos grumbullohet për Sevijen, nga gjendja e rënduar emocionale.
Të paktën ky është informacioni që ky burim mediatik ka marrë nga disa miq dhe të afërm të futbollistit për të cilin Juventusi i pagoi Napolit 94 milionë euro këtë verë. Bomberit argjentinas, si rrjedhojë e kësaj situate të frikshme, në dy javët e fundit i është dashur që të dalë nga shtëpia i shoqëruar disa herë nga disa truproja, por në shumicën e rasteve nga policia e “Digos”-it (Divizioni Investigativ dhe i Operacioneve Speciale), e cila e mban nën mbikëqyrje 24 orë në 24.
Pas transferimit të tij nga Napoli këtë verë, protestat e tifozëve të kaltër kanë qenë të panumërta, por edhe shumë të ashpra. Mes ironisë dhe keqdashjes, ata e detyruan Higuainin që të mbyllte adresat e tij në rrjetet sociale për disa orë dhe madje mesazhet që erdhën në drejtim të tij, mes të cilave edhe kërcënime me vdekje, u morën për t’u analizuar edhe nga forcat policore, por me sa duket, këtë herë situata ka degraduar edhe më shumë.
Sipas informacioneve të zbuluara së fundmi, “Pipita” ka marrë kërcënime deri në banesën e tij dhe, për këtë arsye, është kërkuar ndërhyrja e “Digos”-it. Gjithsesi, i kontaktuar nga “Gazzetta dello Sport”, klubi i Juventusit e ka përgënjeshtruar këtë lajm: “Nuk na rezulton që ky lajm të jetë i vërtetë, aq më tepër marrja në mbrojtje e lojtarit tonë nga një eskortë apo truproja”.
Ndërkohë më në fund duket se ka ardhur radha e Arlind Ajetit. Mbrojtësi shqiptar që luan tek torinezët do të ketë mundësinë e tij për të zbritur në fushë qysh nga minuta e parë në ndeshjen që Torino do të luajë në fundjavë ndaj Kievos.
Sipas mediave pranë klubit “granata”, Sinisha Mihajloviç po mendon që të bëjë një rotacion në ekip, duke parë faktin se në javët në vijim do të ketë një kalendar të ngjeshur. Torino do të luajë në transfertë me Sampdorian në “Marassi”, në shtëpi me Juventusin në derbi, në “San Paolo” me Napolin, për ta mbyllur më 22 dhjetor me Xhenoan.

Artikulli paraprakHysaj te Manchester?
Artikulli tjetërKonflikti i përjetshëm i Qipros