Hysaj te Manchester?

Rrjeti i njohur sportiv ESPN i ka bërë një analizë në faqen e vet të internetit zërave të fundit të merkatos së futbollistëve të ndryshëm në klubet kryesore europiane. Mes tyre spikat padyshim emri i Elseid Hysajt, i cili prej disa javësh qarkullon si një përforcim i mundshëm që në muajin janar për Mançester Junajtid.
Eksperti i ESPN, David Amojal, parashikon se ky transferim ka 30% mundësi që të realizohet, jo që në dritaren e parë të merkatos, por në verë. “Ka një nevojë të dukshme për mbrojtës krahu cilësorë në ‘Old Traford’ dhe 22-vjeçari shqiptar do të ishte lojtari i duhur”, shpjegoi ai. “Pasi është renditur mes mbrojtësve të krahut më të mirë në Serinë A me Napolin në sezonin e kaluar, Hysaj vazhdoi të shkëlqente me Shqipërinë në Europian.
Paraqitjet e tij i siguruan një kontratë të re me klubin me një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë. Një lëvizje në janar do të ishte e parakohshme, por në verën e ardhshme të dy klubet mund të gjejnë një akord, ndërsa transferimi në krahun e kundërt i Mateo Darmian të Mançester Junajtid mund të shërbejë për të ulur vlerën e klauzolës”, shpjegoi eksperti i ESPN për merkaton.
Ndërkohë, Hysaj nuk duket i shqetësuar nga këto zëra, por mendon vetëm për Napolin, i cili barazoi pa gola ndaj Dinamos së Kievit dhe komplikoi kalimin në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve. Edhe pse shumëkush e interpretoi si zhgënjyes këtë rezultat, Hysaj mendon se skuadra mund të arrijë të kualifikohet në ndeshjen direkte, që ka pas dy javësh me Benfikën.
“Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, ishte e rëndësishme të mos pësonim gol. Ky barazim na vendos në kushte të mira për të luajtur kualifikimin me Benfikën dhe shkojmë në Lisbonë me forcë dhe besim. Sot, kemi krijuar shumë dhe është edhe pozitive që kemi vuajtur shumë pak në fazën mbrojtëse. Barazimi mund të vlejë shumë në perspektivën e të ardhmes. Personalisht nuk më ka kushtëzuar rezultati në Stamboll. Isha vetëm i përqendruar te ndeshja dhe vetëm në fund pashë klasifikimin e grupit”, deklaroi ai pas sfidës.
Ndërkohë, kolonisë së shqiptarëve në Serinë A së shpejti mund t’i shtohet edhe Emanuele Ndoj. Sipas mediave italiane, për mesfushorin e Breshias ka shfaqur interesim Sasuolo. Klubi i elitës së futbollit në Itali e cilëson 20-vjeçarin si një alternativë për të përforcuar mesfushën në afatin kalimtar të janarit. Shqiptari i lindur në Katania është një produkt i akademisë së Romës, ku u shpall kampion i Italisë me ekipin e të rinjve (Primavera) sezonin e shkuar.
Në merkaton e kësaj vere iu bashkua Breshias në Serinë B, ku ka luajtur shtatë ndeshje këtë sezon, pesë prej të cilave si titullar. Emanuele Ndoj është pjesë e Kombëtares shqiptare U-19, pasi më herët ka veshur fanellën e U-17 kuqezi.

Artikulli paraprakFIFA, Shqipëria zbret 2 pozicione
Artikulli tjetërKërcënohet me jetë Higuain