Kafshata e mjerimit, skema e re përjashton nga ndihma familjet në varfëri ekstreme

Sipas skemës së re të ndihmës ekonomike, mijëra familje në çdo qark të vendit nuk përfitojnë më ndihmë ekonomike. Skema e re ka filluar të zbatohet në janar të 2018.
Familjet në nevojë kanë aplikuar sipas skemës së re në janar pranë Shërbimit Social Shtetëror, por kur janë paraqitur pranë zyrave përkatëse për të tërhequr pagesën kanë mësuar se janë përjashtuar nga ndihma ekonomike.
Pothuaj në çdo qark ka pasur qindra familje që kanë dalë nga skema e trajtimit me ndihmë ekonomike, pasi sipas sistemit elektronik nuk përmbushin kushtet, kështu për shembull:
Në Lezhë, bashkë me 10 njësitë administrative është përgjysmuar numri i familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike, nga 1600 në 818.
Gjatë një takimi me prefektin e qytetit, këshilltarët bashkiakë shprehen gjatë një bisede mes tyre se kanë dalë nga skema familje në kushte të tmerrshme jetese, me të sëmurë e pa banesa.
“Sistemi i ndihmës ekonomike është i dështuar, qoftë proçuderialisht, qoftë në rezultatin që prodhon. Sistemi nuk ka të detajuar zërat e pikëzimit, nga mbledhja e të cilave konfirmohet që një familje duhet të trajtohet me ndihmë ekonomike apo jo.

Për sa kohë po përjashton në mënyrë të padrejtë familje në varfëri ekstreme dhe për sa kohë po përfshin familje, të cilat nuk plotësojnë kushtet për të përfituar ndihmë ekonomike, atëherë është thjesht një sistem abuzues”, shprehet këshilltarja bashkiake.
Në Shkodër 4291 familje janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Ata kanë protestuar dje përpara Prefekturës së Shkodrës, por e vetmja përgjigje që i është dhënë është riaplikimi në muajin mars.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, duke kundërshtuar sistemin e ri, u shpreh:
“Sistemi i ri zbatuar nga janari i këtij viti ka dështuar. Ai është jo transparent dhe askush nuk ka informacion për kriteret e llogaritjes së pikëve. Janë hequr padrejtësisht familje që i kanë të gjithë pjesëtarët e papunë, familje që kanë fëmijët studentë, familje të varfëra dhe pa të ardhura familjare”.
Në Kukës, qarkun më të varfër të Shqipërisë, 3600 familje janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Njësoj si familjet në Shkodër, ata kanë protestuar dhe janë shprehur se nuk kanë asnjë informacion se për çfarë motivesh apo kriteresh janë përjashtuar nga sistemi.

Në Tepelenë, 460 familjet që janë përjashtuar nga skema, kanë protestuar dhe kanë kërkuar nga Bashkia të sqarohen për arsyet e përjashtimit.
Në Gjirokastër po ashtu janë 460 familje të përjashtuara, të cilat kanë protestuar. Njëri prej banorëve u shpreh:
“Jemi 460 familje që jemi hequr. Nuk kemi se çfarë do të bëjmë, do të vetëflijohemi. Nuk kemi arsye, thonë se e ka sistemi fajin. Jemi pa bukë, kemi hyrë në borxhe”.
Dy qytetarë në Elbasan, të dy me fëmijë me nevoja të veçanta, shprehen se mbledhin kanaçe dhe materiale të tjera të riciklueshme, pasi vetëm ndihma ekonomike nuk i mjaftonte. Po të dy janë gjetur përpara një situate edhe më të vështirë këtë muaj: ata janë përjashtuar nga sistemi i ndihmës ekonomike, pasi cilësohen si të “vetëpunësuar” në mbledhjen e kanaçeve.
Personat e sëmurë që nuk mund të marrin mjekimin si pasojë e mungesës së parave.
Familjet e përjashtuara dhe përfaqësues të institucioneve tregojnë për FaxNews është se nuk ka asnjë shpjegim se për çfarë arsyesh specifikisht familjet janë përjashtuar nga skema, të vetmet përgjigje që kanë marrë janë ato të Kryeministrit Rama:
“Ka shumë njerëz që kanë dalë nga skema, sepse nuk e meritojnë, dhe nuk duan të punojnë”.
Dhe sipas, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale se skema “është një formulë matematikore, e cila prodhon një sasi pikësh duke vlerësuar një sërë faktorësh ekonomiko-socialë të familjes”.

Artikulli paraprakDisiplinimi i fëmijëve, si duhet të veprojmë
Artikulli tjetërViti i betonit, në vitin 2017 dhënia e lejeve të ndërtimit u rrit me 88.3%