Jovetiç shkatërron rekordin e Realit

Pas 40 ndeshjesh pa humbje, Reali i Madridit pëson disfatën e parë. Në “Ramon Sanchez Pizjuan” festa ishte e gjitha për Seviljan që realizoi një përmbysje të çmendur për të fituar 2-1 në fund ndaj Los Blancos. Stevan Jovetiç me një gol spektakolar ishte heroi i skuadrës andaluziane, por për t’i hapur suksesin ekipit vendas mendoi Sergio Ramos që papritur u kthye nga djall në engjëll për tifozët e Seviljas, pasi realizoi në portën e tij. Ishte ndeshje me një ritëm të çmendur ajo e zhvilluar në Andaluzi.
Në pjesën e parë shanset më të mira për gol i pati Reali, por Cristiano Ronaldo në dy raste, në minutat 27 dhe 42 nuk arriti të mposhtë Sergio Ricon. Për t’i dhënë një tjetër drejtim kësaj sfide mendoi pikërisht portieri i Seviljas që në të 65-tën bëri një veprim të pakontrolluar mirë, duke penguar brenda zone Dani Carvajal-in. 11-metërsh për skuadrën e Zidane me Ronaldon që nuk fali duke kaluar në epërsi miqtë. Por atëherë kur dukej se Reali po shkonte drejt një fitoreje që do të shtronte rrugën drejt titullit erdhi edhe reagimi i skuadrës andaluziane, edhe pse për të barazuar shifrat Sevilja kishte nevojë për ndihmën e ish-it të madh të sfidës ose djalit të shtëpisë që pak ditë më parë në Kupë pas atij goli që realizoi mori si shpërblim vërshëllimat e tifozëve në “Ramon Sanchez Pizjuan”.
Në të 85-tën Sergio Ramos zgjati kokën pas një krosimi të Sarabias duke devijuar topin në portën e tij për një autogol të pabesueshëm që ngriti peshë tifozët vendas. Por Sevilja nuk u kënaq me barazimin dhe në minutën e 2-të  shtesë realizoi edhe golin e fitores që mban firmën e blerjes më të re Stevan Jovetiç. Ish-sulmuesi i Interit që është transferuar në formë huazimi te andaluzianët ndëshkoi Keylor Navas-in me një goditje të bukur nga distanca. 2-1 për Seviljan që falë këtij suksesi u ngjit në vendin e 2-të në kuotën e 39 pikëve, duke rihapur La Ligan, sepse tashmë Los Blancos kanë vetëm 1 pikë më shumë edhe pse kanë një ndeshje më tepër për të luajtur.

Artikulli paraprak8 njerëz e kanë pasurinë të barabartë me gjysmën më të varfër të botës
Artikulli tjetërSpektakël, por pa fitues