Spektakël, por pa fitues

Manchester United dhe Liverpool nuk arritën të prodhojnë një fitues në derbin e Anglisë duke barazuar 1-1 pas një ndeshjeje spektakolare ku u luajt një futboll plot ritëm dhe raste. “The Reds” ishin shumë pranë fitores pas një goli në pjesën e parë me 11-metërsh të Milner, por i zakonshmi Zlatan Ibrahimoviç arriti t’i japë një pikë të tijve, me formacionin e Mourinhos që u ndal pas nëntë fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet. Në pjesën e parë në “Old Trafford” ishte Mignolet që ndali në më shumë se një rast futbollistët e Djajve të Kuq, ndërsa Liverpool përfitoi nga një prekje me dorë e Pogba-së në zonë për të marrë epërsinë.
Goli që zhbllokoi rezultatin ndikoi direkt dhe në lojë në pjesën e dytë me të dyja ekipet që nuk pushuan për asnjë çast e të dy portierët që patën jo pak punë. Këmbëngulja e vendasve u shpërblye megjithatë në të 83-tën. Shtylla u duk sikur ishte sërish “mallkimi” i Djajve të Kuq pas goditjes së Fellainit, por topi u hodh sërish në qendër dhe Ibrahimoviç futi kokën në vendin e duhur për golin e barazimit. Ky ishte dhe rezultati përfundimtar i kësaj sfide, ku fituesi i vërtetë mund të konsiderohet Chelsea që siguroi një tjetër shkëputje ndaj ndjekësve këtë javë.

Artikulli paraprakJovetiç shkatërron rekordin e Realit
Artikulli tjetërMonako “bombardon” Marsejën në “Velodrome”