Italia në buzë të humnerës

Ryan Nabil

Me rritje të ulët ekonomike, papunësi kronike dhe borxhin publik në rritje, Italia i përmbush të gjithë kushtet për shpërthimin e një krize financiare. Megjithatë, me zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe daljen në sipërfaqe të aktorëve të rinj në politikën italiane, vendi do të përballet me një rrezik akoma më të madh politik. Politikanët do të duhet të jenë mjaft të vëmendshëm për rrezikun që Italia përbën për eurozonën dhe ekonomitë globale.
Që pas krizës financiare të viteve 2007-2008, ekonomia e Italisë ka përjetuar një recesion mjaft të rëndë dhe është ende në nivel më të ulët se para vitit 2008. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Italia nuk do të arrijë të kapë nivelin ekonomik të mëparshëm deri në vitin 2025, gjë që përfaqëson një brez të tërë humbjeje të rritjes ekonomike.
Ndërkohë që ekonomia dhe kompanitë italiane përballeshin me vështirësitë e mëdha të recesionit, numri i borxheve të këqija u rrit shumë. Ndërmjet viteve 2000 dhe 2017 numri i borxheve të këqija është rritur nga 5,8 në 17,1 për qind të borxheve në tërësi. E kundërta ndodhi në Shtetet e Bashkuara ku vetëm 1,3 për qind e borxheve totale janë borxhe të këqija. Bankat italiane kanë mbledhur kështu borxhe të këqija, norma e investimeve dhe krijimit të vendeve të punës u ngadalësua dhe kjo shkaktoi ngadalësimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike.
Të gjendur në mes të një krize ekonomike dhe vështirësive të mëdha bankare, italianët e shtresave të ulëta kanë vuajtur shumë. Sot, 38 për qind e italianëve që përbëjnë fuqinë punëtore janë të papunë. Kushtet janë akoma më të vështira për rininë, pasi një në çdo dy italianë të rinj janë të papunë. Kjo situatë është përkeqësuar ndjeshëm edhe nga rënia e produktivitetit të fuqisë punëtore në Itali në krahasim me vendet e tjera të eurozonës, kryesisht Gjermaninë.
Teksa qeveria italiane përpiqej të adresonte këtë krizë, duke marrë akoma më shumë borxhe, borxhi qeveritar u ngrit në stratosferë. Me një borxh prej 133 për qind të GDP-së, Italia është sot vendi i dytë i Bashkimit Europian me sasinë më të madhe të borxhit pas Greqisë. Rritja e borxhit e ka kufizuar shumë aftësinë e qeverisë për të ndërmarrë investime publike. Kjo do të thotë se, Italia tani është një nga vendet më të ndjeshme në botë ndaj rritjes së kostove të borxhit në botën e zhvilluar si pasojë e krizave politike apo humbjes së besimit të investitorëve.
Kjo e fundit është veçanërisht shqetësuese, pasi pasiguritë politike kanë lënë shumë pak hapësirë për optimizëm ndërmjet investitorëve. Në 72 vite që nga Lufta e Dytë Botërore, Italia ka pasur plot 62 qeveri. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në maj të vitit 2018, në të cilën pritet të fitojë partia anti-establishment, Lëvizja me Pesë Yje, kundër Partisë Demokratike. Skenari më i mundshëm politik i këtyre zgjedhjeve është që do të formohet një koalicion qeveritar i dobët me partnerë tepër të paqëndrueshëm.
Nëse zgjedhjet e ardhshme çojnë në formimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes me Pesë Yje dhe të djathtët e Forca Italia dhe Liga e Veriut, kjo do të ngrejë pikëpyetje serioze lidhur me përkushtimin e Italisë ndaj reformave ekonomike dhe vazhdimin e partneritetit në eurozonë. Për shembull, Lëvizja me Pesë Yje kërkon të implementojë mbështetjen e të ardhurave universale për të varfërit, por duke pasur parasysh nivelin tepër të lartë të borxhit publik të Italisë, një lëvizje e tillë do të shkatërronte financat italiane.
Edhe e ardhmja e euros është ende e paqartë, pasi Lëvizja me Pesë Yje kërkon të organizojë një referendum për mbajtjen e monedhës së përbashkët. Duke pasur parasysh rritjen e euroskepticizmit në Itali, ku vetëm 58 për qind e italianëve mbështesin euron (numri më i ulët në të gjithë Bashkimin Europian), është e mundur që italianët të votojnë për t’u larguar nga eurozona, nëse do të organizohej një referendum.
Edhe pse euro në fakt e ka dëmtuar shumë ekonominë italiane, largimi nga eurozona do të dëmtonte akoma më shumë perspektivën e kësaj ekonomie të dobësuar. Duke qenë se vendi ka një prej borxheve më të larta publike, pasiguria politike mund të shtynte agjencitë financiare të zhvlerësonin bonot italiane. Një zhvillim i tillë do ta shkatërronte plotësisht ekonominë italiane.
Për t’i përkeqësuar akoma më shumë gjërat, përmasat e Italisë do ta zmadhojnë ndjeshëm impaktin negativ që do të sillte një krizë politike në vend. Për shkak se Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Bashkimin Europian dhe është dhjetë herë më e madhe se Greqia, impakti do të ishte i jashtëzakonshëm. Me performancën e saj të dobët ekonomike gjatë viteve të fundit, Italia duhet të përkushtohet fuqimisht në reformat ekonomike për ta çuar vendin drejt ripërtëritjes. Me një rritje të ngadaltë, borxhe të larta dhe papunësi kronike, gjëja e fundit që i nevojitet vendit është një tjetër krizë politike e gjeneruar nga zgjedhjet e ardhshme.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakInvestim gjerman për studentët në konvikte
Artikulli tjetërDhoma Amerikane: Projekti 1 miliard euro do rrisë borxhin