Investim gjerman për studentët në konvikte

Katër ose pesë studentë që jetojnë në 20 metra katëror, mungesa e ngrohjes, tualete dhe dushe të përbashkëta, mungesa e kuzhinës dhe sallave për të studiuar. Këto janë kushtet e jetesës për rreth 1100 studentë që jetonë në godinat e Qytetit “Studenti Nr.2” pranë “21 Dhjetorit”.
“Një furnelë me rezistencë e përdorim për të gatuar, për t’u ngrohur dhe për të ngrohur ujin kur nuk kanë dushet”, na thotë Dorina Hoxhaj, studente e vitit të parë për Menaxhim Biznesi.
“Dushet kanë ujë vetëm nga ora 18:00 deri 21:00, por nëse në këtë orar nuk jemi në konvikt, atëherë mbetemi pa larë ose përdorim mënyrat alternative, duke e ngrohur ujin me furnelë”, na tregon Artiola, e cila është shoqe e dhome me Dorinën.
Të jetosh dhe të jesh rezultativ në studime në këto kushte minimale është thuajse e pamundur.
Por situata do të ndryshojë së shpejti falë një investimi prej 6.2 milionë eurosh të Republikës Federale të Gjermanisë nëpërmjet Bankës për Zhvillim (KfË).
Godinat e Qytetit “Studenti Nr.2” pranë “21 Dhjetorit” janë duke u rikonstruktuar në bazë të modelit të efiçiencës energjetike, që përfshin: sistemin kompozit termo-izolim i jashtëm për muret e jashtme, dritare të reja me efiçiencë energjetike, elementë hijëzues të jashtëm, hidro dhe termo-izolim i tarracave dhe soletës së katit përdhesë, panele solare për ujë të ngrohtë, sistem ngrohje i integruar nga dyshemeja, pompa ngrohje me ajër dhe sistem ventilimi i kontrolluar dhe ndriçues me efiçiencë energjetike (LED).
Konsumi energjetik pas aplikimit të masave të efiçiencës energjetike, duke përfshirë kushtet e komfortit është 56 këh/m2a. Kthimi i investimit për të gjitha masat me efiçiencë energjetike të aplikuara është 9 vite.
Ndërtesat në total kanë një numër prej 236 dhomash dhe do të presin në të ardhmen 1088 studentë.
Dhomat do të riorganizohen në formën e miniapartamenteve me një tualet të përbashkët. Rikonstruksioni parashikon gjithashtu ndërtimin e kuzhinave të përbashkëta në çdo kat, një hapësirë ngrënieje dhe një ndenjeje. Për herë të parë një godinë konviktesh do të ketë gjithashtu një ashensor.
Gjatë një vizite në godinat në rikonstruksion ambasadorja gjermane Sussane Schütz deklaroi se, Gjermania do të kontribuojë edhe në rikonstruksionin e godinave në kompleksin Qyteti “Studenti Nr.1”.

Artikulli paraprakAmbiciet hapësinore të vendeve afrikane
Artikulli tjetërItalia në buzë të humnerës