Italia mundet nga Franca

Debutim i hidhur për Giampiero Venturan në stolin e Italisë. Të kaltërit u mundën 3-1 në testin miqësor të “San Nicola” të Barit nga Franca. Pavarësisht zhgënjimit që Italia dhuroi në Euro 2016, risitë e vetme në formacionin titullar të Italisë ishin Astori dhe Bonaventura, ndërsa Pelle dhe Eder mbetën zgjedhje të para në vijën e parë të sulmit. Në krahun tjetër, Franca u prezantua me treshen e sulmit Martial, Giroud, Griezmann. Takimi u zhbllokua në minutën e 17 nga Martial, i cili shfrytëzoi në maksimum krosimin e Pogba.
4 minuta më pas, Pelle vendosi barazpeshën. Eder nga e djathta arriti të flitronte një top në zonë dhe bomberi i kaltër kontrolloi me saktësi dhe mposhti gardianin Mandanda. Spektakli nuk u ndal në pjesën e parë, sepse në të 28-ën, Giroud i shërbyer nga Kurzaëa riktheu në avantazh “Gjelat”.
Gjatë pjesës së dytë, Ventura i dha mundësinë e artë portierit Donnarumma, i cili konsiderohet si e ardhmja e Italisë, por ishte pikërisht gardiani kuqezi bëri një gabim të pabesueshëm në minutën e 81, duke lejuar golin e tretë të Francës me autor Kurzawa. Një ndeshje që u shërbeu trajnerëve Deschamp e Ventura për të hedhur themelet e skuadrave të tyre në prag të startit të eliminatoreve të Botërorit 2018.

Zhgënjen Holanda

Emocione, gola dhe të papritura në miqësoret ndërkombëtare të luksit në Europë. Aventura e Lopetegui-t në stolin e Spanjës nisi me fitore. La Roja fitoi 2-0 në Bruksel përballë Belgjikës së re të Roberto Martinez, që debutoi në krye të Djajve të Kuq. Iberikët kaluan në avantazh pas 34 minutave lojë, me David Silva-n që e dërgoi topin në rrjetë pas pasimit të Vitolo. Në të 62-ën spanjollët dyfishuan, me të njëjtët lojtarë që ishin protagonistë. Vitolo u ndalua në mënyrë të parregullt në zonë nga Jordan Lukaku, ndërsa David Silva mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, duke vulosur rezultatin final 2-0.
Portugalia kampione e Europës në fuqi, respektoi parashikimet, duke fituar me lehtësi 5-0 përballë Gjibraltarit. Pjesa e parë e sfidës u mbyll me avantazhin minimal të luzitanëve, pas golit të Nanit, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës erdhi goleada. Nani në të 55-ën dyfishoi, ndërsa në harkun e 7 minutave lojë, portugezët realizuan edhe tre herë të tjera. Joao Cancelo, Bernando Silva dhe Pepe ishin autorët e golave të suksesit në Porto.
Holanda vazhdon të zhgënjejë. Pas mungesës në Euro 2016, “tulipanët” konfirmuan se janë ende larg lavdisë së dikurshme, duke u mposhtur 2-1 në shtëpi nga Greqia. Avantazhi me Wijnaldum pas 14 minutave lojë nuk shërbeu, pasi në të 29-ën grekët barazuan shifrat me Mitroglou. Për t’i dhuruar fitoren Greqisë shërbeu goli i Gianniotas, pas largimit jo të mirë të topit nga portieri Zoet, nga goditja e të zakonshmit Mitroglou. Një disfatë që tregon se Holanda ka ende shumë punë për të realizuar objektivin e kualifikimit në finalet e Botërorit 2018.

Artikulli paraprakMesi kthehet me gol
Artikulli tjetërAfera me Armon për naftën, pas Besos fshihet ortakëria me Ramën