Afera me Armon për naftën, pas Besos fshihet ortakëria me Ramën

“Kryeministri Rama bashkë me oligarkët e tij marrin përpunimin e naftës në vend”. Deklarata bëhet nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, sipas të cilës, një kompani off-shore pa kapitale dhe pa pronarë të indentifikueshëm po fusin në dorë pasuritë e shqiptarëve. Në lidhje me kompaninë e naftës ARMO, ajo tha se ka një emër.
“Pas muajsh të tërë përpjekjesh Rama bashkë me miqtë e oligarkët e tij marrin dhe përpunimin e naftës në vend. Skema është e njëjtë. Ashtu siç ndodhi me koncesionin e TVSH që u denoncua nga opozita, ashtu siç po ndodh me Portin e Karpenit e me shumë asete të tjera. Kompani off-shore, pa kapitale, me pronarë të paidentifikueshëm, shtijnë në dorë pasuritë e shqiptarëve. Por këtë herë, ka një emër dhe një biznesmen të qeverisë qartësisht të përfshirë. Mikun e Ramës, Besnik Sulën. Skema e Ramës dhe shërbëtorëve të tij përfshiu shantazhet dhe presionet që ARMO t’i dorëzohet biznesmenit të mirënjohur dhe mbështetës së kryeministrit. Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A është regjistruar më së pari në British Virgin Island dhe para dy muajve e regjistruar në Shqipëri ka marrë asetin më të rëndësishëm të ARMO-s Rafinerinë e Ballshi?!. Kompania blerëse ka përfaqësues ligjor Taulant Musabelliun, që është administratori i kompanisë “Sulaj Progres Group” në pronësi të biznesmenit Besnik Sulaj, mik i afërt i kryeministrit Rama” tha Tabaku.
Ajo theksoi se marrja e rafinerisë së Ballshit, pas marrjes nga Sula muaj më parë të rafinerisë së Fierit, praktikisht e bën atë pronar të vetëm të ARMO-s, pa shpenzuar asnjë lek nga xhepi i tij. Pra, vijoi Tabaku,  de fakto tashmë është e privatizuar, por paratë në vend që t’u shkojnë shqiptarëve, i shkojnë Ramës. Kjo është skema e Ramës. “Vjedh pasuritë kombëtare për vete dhe oligarkët e tij. Plaçkit buxhetin me tendera dhe koncesione korruptivë. Mbush me drogë Shqipërinë për hesap të krimit me mbështetje qeveritare. Shqiptarëve ju ka lënë varfërinë, burgun ose emigracionin. Është koha për t’u bashkuar dhe për të ndalur me fuqinë e bashkimit bandën që po plaçkit, varfëron dhe poshtëron çdo ditë shqiptarët” u shpreh deputetja demokrate.

Afera me ARMO

Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A., një kompani e regjistruar vetëm dy muaj më parë do të jetë shfrytëzuesja e rafinerisë së vetme në vend, ARMO. Lajmin e ka bërë publik Bankers Petroleum, e cila njoftoi se nga 1 tetori deri në 31 dhjetor do të shesë 65 për qind të prodhimit tek kjo kompani, për t’u përpunuar në dy rafineritë, atë të Fierit dhe Ballshit. “Bankers Petroleum Ltd ka kënaqësinë të deklarojë nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC). Sapo të bëhet efektive, Bankers të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto në bazë të kësaj marrëveshjeje”, njoftoi Bankers Petroleum Kompania do të marrë garanci pagese në avancë për ngarkesat e naftës bruto. Në përputhje me marrëveshjen, ngarkesat e naftës do të shiten gjatë periudhës 1 tetor 2016- 31 dhjetor 2017. Marrëveshja e Bankersit me zotëruesit e rinj të ARMO-s nuk është e rastësishme.
Burime konfidenciale i thanë Syri.net se e gjithë lufta e qeverisë ndaj kompanisë kanadeze ka qenë pikërisht për të detyruar atë të hyjë në marrëveshje tregtare me kompaninë Ionian Trading, e cila zotërohet nga njerëz të afërt me kryeministrin. Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH. A., është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin. Por si përfaqësues i saj shfaqet Taulant Musabelliu, një njeri i lidhur me biznesmenin Besnik Sulaj, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me kryeministrin Edi Rama. Musabelliu ka qenë administrator i kompanisë “Sulaj Progres Group”, i zotëruar nga biznesmeni Sulaj dhe tani shfaqet si administrator në kompaninë Ionian Refining që do të shfrytëzojë ARMO-n.
Ende mbetet e paqartë procedura përmes, të cilës kjo kompani ka marrë ARMO-n. Ministria e Energjisë, e cila zotëron 15 për qind të aksioneve nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar. Ajo që dihet është se rafineria e cila deri dje ka qenë e bllokuar është marrë me qera, në një marrëveshje që përfshin bankat, qeverinë dhe Tatimet. Rafineria ARMO është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve. Në fund të tremujorit të parë të 2016-ës, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës, një shumë kjo që është gati sa 5% e prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.

Afera Beso-Rama me portin e Karpenit

Një port në ujërat e thella, me një zonë ekonomike prej 1 700 hektarësh ku do të ndërtohen një kompleks rezidencial, një impiant i rigazifikimit të gazit të lëngshëm, një termocentral, një serrë teknologjike dhe në fund një akademi sportive. Projekti sipas dokumentit që shoqëron projektligjin, do të prodhojë gati 6 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit dhe 70 mijë të punësuar kur të futet në operim, mbas pesë vjetësh. Vendi se ku duhet të lulëzojë ky investim i rëndësishëm është Karpeni në Bashkinë e Kavajës. Kjo ndoshta shpjegon këmbënguljen e Kryeministrit Rama për të mbrojtur kryebashkiakun e tanishëm, i përfshirë në një proces dekriminalizimi. Plani rregullator i Kavajës, i cili do të paraqitet në shtator, i është besuar “Atelier 4” të Alban Eftimit, i njohur për lidhjet e afërta me Kryeministrin Rama. Ndoshta, kur të miratohet plani rregullues i Kavajës do të jetë e mundur të merret ndonjë informacion më shumë mbi projektin. Kompania “Star Bridge Port Developments Limited” është një kompani nga rafti- një shoqëri që ka adresë një kuti postare, e cila në Mbretërinë e Bashkuar blihet për pak qindra paund nga shoqëritë juridike që krijojnë mijëra kompani të tilla të gatshme. Ajo është themeluar me një kapital minimal prej 100 paund nga dy ortakë, të cilët më 26 korrik 2016 ia shitën atë një shoqërie në Singapor, të quajtur “One Gate PTE ltd”, e cila është gjithashtu një tjetër kompani e regjistruar me adresë një kuti postare. Për kompaninë singaporiane nuk ka më asnjë të dhënë tjetër.

Vjedhjet qindra milionë euro të Ramës me Beson e tij

Në natën e Vitit të Ri, Bashkia e Tiranës miratoi pa asnjë njoftim paraprak një konçesion 35-vjeçar për ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore në tek Parku Rinia. Përfituesi i konçesionit ishte Taiaan shpk, kompani në pronësi mazhoritare të Besnik Sulajt, një biznesmen shumë i afërt me Kryeministrin Edi Rama. Përmes vendimit, shteti i dha kompanisë së Sulajt një sipërfaqe prej disa mijë metrash tokë shtetërore mu në qendër të kryeqytetit, me çmimin qesharak prej 12 lekë për metër për të ndërtuar aty parkingje nëntokësore me kapacitet total 1342 vende. Ironia më e madhe e konçesionit, qëndronte në faktin se kompania fituese ishte e falimentuar, pasi 80 për qind e aksioneve të zotëruara nga Sulaj ishin në sekuestro për borxhe të pashlyera. Ndaj dhënia e parkingut në mes të Tiranës ishte ndihma e parë e Kryeministrit për të nxjerrë nga falimenti mikun e tij. Por jo e vetmja. Një ditë më parë, Bankers Petroleum, kompania kanadezë që prodhon naftë në fushën e Patos-Marinzës, zbuloi se rafineria e ARMO-s tashmë do të administrohet nga një kompani private e quajtur IRTC. Sulaj është akuzuar vazhdimisht nga opozita e djathtë si sponsor i Edi Ramës në kohën kur ky ishte kryebashkiak i Tiranës. Tashmë në postin e Kryeministrit, Rama duket se po ia rikthen nderin me asete publike. Marrja e rafinerisë së Fierit, pas asaj të Ballshit e bën de facto Sulajn, pronar të ARMO-s, rafinerisë së vetme në vend pa shpenzuar asnjë lekë. Kjo falë mbështetjes së fuqishme të Kryeministrit. Burime konfidenciale nga kompania Bankers Petroleum kanë zbuluar, se i gjithë sulmi i qeverisë ndaj kësaj kompanie ishte presion për ta detyruar atë të pranojë që të hyjë në marrëveshje me kompaninë IRTC për t’i shitur naftën. Favoret e Kryeministrit për mikun e tij të vjetër, Besnik Sulaj kanë qenë të shumta. Por në një drejtim Kryeministri duket i pafuqishëm për ta ndihmuar miku e tij. Vëllai i biznesmenit Sulaj ndodhet në burg, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge. Dhe deri më tani Kryeministri ka qenë i pafuqishëm për ta nxjerrë jashtë.

Afera me parkingun

Këshilli Bashkiak futi në rend dite në mbledhjen e datës 30 dhjetor 2015 një kontratë koncesioni për ndërtimin e një parkingu privat në tokë shtetërore në Parkun “Rinia”, duke riaktivizuar një vendim të administratës së Bashkisë të vitit 2009, kohë kur bashkia drejtohej nga Kryeministri aktual Edi Rama. Vendimi i Këshillit Bashkiak [Mbi] “miratimin e termave kryesore të kontratës koncesionare”, argumenton se procesi i kërkesës së koncesionit me nismë të koncesionmarrësit është marrë në maj të vitit 2009, ndërsa miratimi i termave të kontratës u bë në vitin 2015. Në tenderin formal për kontratën e koncesionit të zhvilluar në vitin 2009 pati vetëm një pjesëmarrës, i cili u shpall fitues. Sipas kontratës, kompania Taiëan sh.p.k do të marrë një sipërfaqe toke në Parkun “Rinia” (sasia e tokës nuk përcaktohet) dhe do të shpenzojë 1.9 miliardë lekë (13.5 milionë euro) për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore me kapacitet prej 1342 vende. Kompania ka paraqitur në Bashki tarifat që do të aplikojë për parkimet, të cilat fillojnë nga tarifa bazë prej 120 lekë për orë, tarifë që ulet në 100 lekë për orën e dytë, të tretë dhe të katërt dhe më pas, në 30 lekë për çdo gjysmë ore më pas. Sipas kontratës, Bashkia e Tiranës do të marrë një “tarifë koncesioni” prej 10 për qind të fitimeve. Kjo formë tarife koncesioni ka rezultuar deri tani shumë e pafat për Shqipërinë, (p.sh. rasti i koncesionit të Bankersit), pasi kompanitë koncesionare janë në gjendje që të fryjnë shpenzimet dhe ta shpallin kompaninë e koncesionit me humbje përgjatë të gjithë periudhës së koncesionit. Parku “Rinia” është një pronë publike që i qe transferuar Bashkisë së Tiranës në vitin 2006 me një vendim qeverie, por që më pas në vitin 2009 iu kalua po me vendim qeverie Ministrisë së Punëve Publike. Në shtator 2015, një vendim tjetër i qeverisë ia kaloi sërish Bashkisë së Tiranës këtë truall.

Artikulli paraprakItalia mundet nga Franca
Artikulli tjetërBerisha: Rama do të largohet si çeço