Ish-ambasadori gjerman, në ‘90: Ramiz Alia planifikoi sulm ushtarak mbi ambasadën tonë

Ish-Ambasadori gjerman i asaj kohe në vendin tonë, Verner Daum, kujton: “Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke. Sipas tij, ata ishin 15 deri në 25 veta, ndërkohë që disa të tjerë shkuan në ambasadat egjiptiane, italiane, por edhe franceze. Ambasadori gjerman Daum gjatë intervistës së tij, rrëfen se në atë kohë i ka kërkuar punonjësit të sigurimit të kufirit federal që të linte të pakyçur derën e Ambasadës, në mënyrë që të vihej re nga njerëzit dhe ata të fillonin të futeshin aty.
Pasi kjo u vu re, një “Skoda” shembi murin rrethues të godinës së Ambasadës Gjermane, duke u futur brenda me një numër shtetasish shqiptarë që kërkonin azil politik. Veprimi u përshëndet menjëherë nga qeveria e Bonit, e cila i konfirmoi mbështetjen azilkërkuesve shqiptarë.
Dy apo tri vite më parë, kam mësuar nga ambasadori shqiptar në Londër, që asokohe ka qenë shef i kabinetit të Reis Maliles, se qeveria e Ramiz Alisë kishte vendosur ta sulmonte ushtarakisht ambasadën gjermane si dhe ambasadat e tjera, por vihej theksi mbi atë gjermane.
Nëse do të ndodhte kjo, atëherë unë nuk do të isha këtu përpara jush, por do të kisha ndoshta një monument në Tiranë.

Qeveria ishte e vendosur për këtë sulm, por Reis Malile kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen publikisht dhe do t’i bënte publike të gjitha detajet.
Pra, ai arriti ta bllokojë këtë vendim”, deklaron ish-ambasadori Daum, për radio “DË”. Por, si fakt njihet se tentativa e parë “e hyrjes” brenda selive të përfaqësive të huaja diplomatike, u shënua më 20 qershor. Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj dhe Edmond Vokshi ndaloi “rastësisht” rreth orës 07:40 pranë mureve të ambasadës greke. Pas kësaj, dy djemtë e rinj hapin baxhon e sipërme të autobusit, e prej andej hidhen në territorin e brendshëm të ambasadës greke, duke e zënë në befasi policinë shqiptare.
Më 23 qershor 1990, kamioni “Liaz” i drejtuar nga Fatos Kaceli, shpërtheu portën hyrëse të ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen rreth orës 22:00, “Skoda” e drejtuar nga Kastriot Mano çau murin e ambasadës gjermane, duke e shembur atë. Në makinë, përveç shoferit ndodheshin edhe Burhan Kalaja, Gëzim Tota, Ilia Miri e disa të tjerë.
Por, “spektakli” më i madh ishte shembja e murit të ambasadës turke me një makinë plehrash dhe disa persona të veshur si punëtorë të komunales. Të vetmet ambasada që nuk pranuan bujtësit e terrorizuar nga regjimi komunist, ishin ambasadat kubane dhe ajo kineze. Hyrja në ambasadat e huaja në Tiranë vijoi edhe pas datës 2 korrik, nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte.

Artikulli paraprak28 vjet pas 2 Korrikut ’90, shqiptarët sërish në eksod masiv
Artikulli tjetërAlibeaj: “Fusha” pastrim të parave të drogës me kullat tek Teatri!