Irani refuzon kontrollin e jashtëm mbi programin e tij raketor

Teherani nuk do ta vendosë programin e tij të raketave nën kontroll ndërkombëtar, tha në Moskë ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, nëse Republika Islamike nuk ndalon zhvillimin e raketave balistike.
“Pse duhet ta bëjmë këtë”, tha Zarif pasi u pyet nëse Irani është i gatshëm të pranojë monitorimin e jashtëm mbi programin e tij raketor.
Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka rënë dakord të frenojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
“Presidenti amerikan ka ambicie të mëdha, por ato nuk do të bëhen kurrë realitet”, tha Zarif, i cili ndodhet në Moskë për takimin e Klubit Valdai të Diskutimit – një mbledhje e ekspertëve të politikës së jashtme ruse dhe ndërkombëtare.
Zarif po ashtu kritikoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për forcat kurde siriane, të cilat kundërshtojnë qeverinë e Presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Artikulli paraprakEkipet e shpëtimit arrijnë në vendin ku u rrëzua avioni iranian
Artikulli tjetërIS-i vret 27 luftëtarë pro-qeveritarë të Irakut