Investimet jashtë, bankat, 2.7 miliardë euro te jorezidentët

Dobësia e kreditimit të ekonomisë së brendshme dhe teprica e fondeve në euro po bën që bankat të rrisin investimet jashtë vendit edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i pretendimeve ndaj jorezidentëve në fund të muajit maj kishte vlerën e 364 miliardë lekëve ose rreth 2.7 miliardë euro.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, pretendimet ndaj subjekteve jorezidente janë rritur me afro 5% që nga fillimi i vitit. Pretendimet ndaj jorezidentëve përfshijnë investimet në tituj borxhi të qeverive apo korporatave të huaja, vendosje të valutës në formë depozitash në banka jashtë vendit apo edhe hua për individë apo biznese jo rezidente.
Në veçanti, kreditimi i jorezidentëve ka marrë përmasa të konsiderueshme në dy vitet e fundit, ndonëse i përqendruar në pak banka të sistemit. Vendosjet dhe investimet jashtë vendit përbëjnë një zë mjaft të rëndësishëm në bilance, me rreth 25% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar.
Sipas “Tv Scan” në paketën e masave për nxitjen e kreditimit, miratuar në vitin 2013, Banka e Shqipërisë tentoi të kufizonte nxjerrjen e parave jashtë vendit, për t’i nxitur bankat të financojnë më shumë ekonominë e brendshme. Në thelb, masat e Bankës së Shqipërisë rrisnin kërkesën për kapital rregullator për paratë që bankat investojnë jashtë vendit. Sidoqoftë, fakti që ky zë është rritur në bilancet e bankave tregon se qëllimi i Bankës Qendrore është arritur vetëm pjesërisht.
Investimet jashtë vendit nuk kryhen edhe aq për të siguruar fitime domethënëse, po të kemi parasysh se normat e interesit janë shumë të ulëta në të gjithë tregjet europiane. Arsyeja kryesore është se bankat nuk kanë alternativa në tregun e brendshëm, edhe sepse kreditimi po orientohet drejt monedhës vendase.
Nga ana tjetër, rritja e depozitave në euro ka shtuar sasinë e fondeve të lira në monedhën europiane. Që prej vitit 2014, Banka e Shqipërisë aplikon interesa negative për vendosjet në valutë të bankave tregtare në llogarinë e saj. Duke qenë se praktikisht bankat duhet të paguajnë për të mbajtur fondet e papërdorura në euro, atëherë ato kërkojnë mënyra për t’i investuar ato, qoftë edhe me interesa minimale.

Artikulli paraprakThomas Lemar objektivi i Arsenalit
Artikulli tjetërSeria A