Investimet e huaja thellojnë pikiatën

Investimet e huaja direkte që kanë hyrë në ekonomi në 9 muajt e parë të vitit kanë shfaqur tendencë rënëse, duke paralajmëruar mbarimin e projekteve të mëdha, si ai i gazjsllësit TAP dhe HEC-ve, që po ndërtohen mbi lumin Devoll. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin investimet e huaja arritën në 677 milionë euro, me një rënie prej 4.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ritmet e rënies janë ngadalësuar, pasi tremujori i tretë ka shfaqur një rigjallërim të investimeve. Për periudhën korrik-shtator u investuan 299 milionë euro, njësoj sa në tremujorin e tretë të një viti më parë, por me rritje të ndjeshme në krahasim me dy tremujorët e parë (179 mln euro në të parin dhe 199 milionë euro në të dytin).
Investimet e huaja ishin kryesisht të përqendruara në sektorin e energjetikës (59%) hidrokarbureve (12%) dhe ndërmjetësimit financiar (12%).
Në periudhën 2015-2016, investimet e huaja shënuan rritje të djeshme, të ndiktuara nga punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-in e Devollit. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikim në afatin e mesëm. FMN uli së fundmi me 0.4 pikë përqindjeje pritshmërinë për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit të ardhshëm, pikërisht për këtë arsye.
Banka Botërore, FMN dhe Komisioni Europian kanë tërhequr vazhdimisht nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë. Sipas tyre, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan” për incentivën e taksa në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një analizë e fundit e Konferences se Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore” jep detaje. Në seksionin që ndalet vetëm tek “Taksimi” thuhet se në raport me vendet e tjera ne kemi sistem taksash më penalizues në nivel. Në këtë kontekst raporti i referohet vendimit të qeverisë për të rritur tatimfitimin në 15 për qind nga 10 për qind që ishte në vitin 2013 si dhe pjesës së taksimit më të lartë të dividentit.
Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia, Kosova të gjitha kanë ose një situatë mesatare ose më favorizuese sesa Shqipëria.

Artikulli paraprakRritet borxhi i jashtëm, qeveria e pranon
Artikulli tjetërBarometri: Shqiptarët duan anëtarësimin në BE për të ikur nga vendi i tyre