Rritet borxhi i jashtëm, qeveria e pranon

Qeveria ka pranuar se rritja e shpejtë e borxhit të jashtëm publik gjatë katër viteve të fundit ka rritur rrezikun e kursit të këmbimit për financat e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se borxhi i jashtëm është rritur nga 25.7 për qind e Prodhimit Kombëtar që ishte në vitin 2011, në 34.2 për qind e PBB në fund të vitit të kaluar.
Sipas qeverisë, rritja me gati 9 pikë përqindje ndaj PBB e borxhit të jashtëm i ekspozon financat e shtetit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, pasi nëse leku zhvlerësohet kjo sjell rritjen e borxhit dhe pagesave për shërbimin e tij. Në Strategjinë Afatmesme të Borxhit Publik, qeveria pranon se pagesat për borxhin në valutë vlerësohen në rritje progresive gjatë periudhës afatmesme 2018-2020.
“Duke qenë se të ardhurat e vendit tonë janë në monedhë vendase dhe bilanci tregtar është negativ aftësia për të siguruar valutë për pagesën e borxhit mbetet e limituar” thuhet në dokument. Sipas dokumentit, nëse qeveria do të sigurojë valutë duke marr tjetër borxh nga jashtë kjo mund të kishte rreziqe të tjera.

Një krahasim me vendet e rajonit

Shqipëria, në raport me vendet e tjera të rajonit ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave, me 28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit. Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%.
Niveli i të ardhurave kushtëzon edhe realizimin e shpenzimeve, që shteti i çdo vendi kryen për shpenzimet korente (paga për punonjës e të tjera administrative) për mbulimin e skemës së pensioneve pagesën e borxheve dhe sidomos për investime kapitale (infrastrukturë, spitale, shkolla etj).
Ndonëse Serbia kryeson për mbledhjen e të ardhurave, nuk është aq eficiente në shpenzime dhe investime. Sipas tabelave të konsoliduara të buxhetit të qeverisë së përgjithshme, publikuar nga Ministria serbe e Financave, të ardhurat ishin 43.8% e PBB-së dhe shpenzimet 45%. Teksa ka luksin për shpenzime të larta, 40% e PBB shkojnë si pagesa korente.
Pagesat për personelin janë 10% e PBB-së, ndërsa në Shqipëri janë vetëm 4% e PBB-së. Paga mesatare në sektorin shtetëror në Serbi, sipas Institutit përkatës të Statistikave serbe, është rreth 620 euro, ndërsa në Shqipëri 440 euro, sipas INSTAT.
Por, kur vjen puna tek investimet kapitale, Serbia planifikon të shpenzojë vetëm 3.3% të PBB-së, ndërsa për Shqipërinë ky tregues pritet të arrijë në 5.2% në 2018-ën, niveli më i lartë që nga 2009-ta.
Mali i Zi është shteti që shpenzon më shumë për investimet kapitale, teksa ky tregues parashikohet në 7.5% të PBB-së në buxhetin 2017, sipas strategjisë fiskale 2017-2019, publikuar nga Ministria përkatëse e Financave.
Sipas kësaj strategjie, Mali i Zi po i kushton vëmendje të veçantë krijimit të kuadrit për nxitjen e inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive, si dhe për të forcuar lidhjet midis institucioneve shkencore dhe kërkimore dhe sektorit real. Për këtë qëllim, Mali i Zi planifikon të themelojë Parkun e parë Shkencor dhe Teknologjik, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në eliminimin e barrierave midis shkencës, kërkimit, inovacionit dhe biznesit. Një plan për themelimin e Parkut Shkencor dhe Teknologjik (STP) përfshin një rrjet të Podgoricës STP dhe qendrave impulsive në Nikshiq (Tehnopolis), Bar dhe Pljevlja, si dhe qendrat impulsive që mund të krijohen në qytete të tjera.
Mali i Zi thekson në strategji se, në orientimin e politikave e shpenzimeve publike i kushton vëmendje të veçantë turizmit. Objektivi primar i politikës së zhvillimit të turizmit është që Mali i Zi të bëhet destinacioni i turizmit të lartë gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim kërkohet forcimi i mëtejshëm i konkurrencës, përmirësimi i infrastrukturës së turizmit, kapaciteteve akomoduese, përmirësimi i lidhjeve dhe aksesi në destinacion, tejkalimi i sezonalitetit, zvogëlimi i disbalancës rajonale dhe shkurtimi i periudhës së kthimit të investimeve në industrinë e turizmit përmes taksave dhe lehtësimeve të tjera dhe nxitjeve për investitorët.
Për të rritur konkurrencën e sektorit të turizmit, duke qenë një gjenerator i rëndësishëm i të ardhurave buxhetore, PBB-së dhe rritjes së punësimit, po ndërmerren aktivitete për të përmirësuar ofertën turistike në veri të Malit të Zi, nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme në shpatet e skive. Me qëllim përmirësimin e ofertës turistike në zonat rurale, në veçanti në veri të vendit, do të miratohet Strategjia e Zhvillimit të Turizmit Rural. Për më tepër, për të diversifikuar masat e ofertës turistike, për të përmirësuar segmentin detar, janë të rëndësishme ndërtimi i vendpushimeve turistike, marinave dhe infrastrukturës mbështetëse, thuhet në strategji.
Shpenzimet kapitale të Maqedonisë janë mesatarisht 3.7% e PBB-së, ku prioritet i jepet infrastrukturës, edukimit (investimit në shkolla) dhe përmirësimit të kushteve për të bërë biznes, me synim nxitjen e potencialit për t’u rritur të sektorit privat dhe krijimit të vendeve të punës, sipas “Programit Ekonomik të Reformave të Maqedonisë, 2017”, publikuar nga Ministria e Financave e Maqedonisë.

Artikulli paraprakBrenda dy dekadash, 85% e popullsisë në qytet
Artikulli tjetërInvestimet e huaja thellojnë pikiatën