Interi ka kalendar të ngjeshur

Interi ka vështirësi ndaj skuadrave të vogla. E ka mëse të qartë këtë trajneri i zikaltërve Frank De Boer, por holandezi ka bindjen se diçka e tillë do të ndryshojë, duke filluar që nga ndeshja e radhës ndaj Cagliarit. “Duhet të fitojmë nuk kemi alternativë tjetër. Është e vërtetë që ndaj skudrave të vogla vuajmë disi, kjo edhe për faktin se ekipe të tilla mbyllen pasi në mbrojtje dhe të lejojnë pak hapësira. Një ndeshje si kjo ndaj Cagliarit duhet ta kërkojmë golin me qetësi. Gjërat duhet të ndryshojnë, sepse ne dëshirojmë gjithmonë të fitojmë”, u shpreh de Boer.
Interi ka një kalendar të ngjeshur gjatë kësaj periudhe dhe skuadrës nuk i lejohen më gabimet jo vetëm në kampionat, por edhe në Europa League ku ka nevojë urgjente për pikë. Pavarësisht këtij turi force, De Boer nuk ka ndërmend të aplikojë rotacionin, duke theksuar se Interi ka nevojë në çdo ndeshje për lojtarë të tillë si Icardi apo Perisic.
“Zgjidhja e vetme që kemi është të marrim tre pikët ndaj Cagliarit dhe të fitojmë përballjen e dyfishtë ndaj Southampton-it në Europa League. Këto janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Lojtarët janë gati për të përballuar 3 ose 4 takime në 8 deri në 11 ditë”, tha trajneri i Interit.
Një mendim i trajnerit holandez, më pas shkoi për brazilianin Gabriel Barbosa, i cili ende nuk është gati për të zbritur në fushë si titullar. “Gabigol është i grumbulluar për ndeshjen ndaj Cagliarit. Është normale që një lojtar që vjen nga një kampionat tjetër, ka nevojë për kohë për t’u ambientuar. Ai po punon fort, taktikisht duhet të përmirësohet shumë. Po i jap kohën e nevojshme dhe për mua kjo nuk përbën një problem. Në Brazil luante në një mënyrë të ndryshme”.

Artikulli paraprakNdalet Dortmundi
Artikulli tjetërMontella: Montolivo, humbje e madhe, por s’ka alibi