Individët me paga të larta biznese të vogla për të mos paguar TAP-in

Një skemë relativisht e re evazioni (shmangie) po përhapet gjerësisht vitin e fundit, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontabilistët pohojnë se individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë, (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Mësohet se dhe tatimet janë në dijeni të një skeme të tillë dhe po ndjekin disa raste të tilla. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.
Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla.
Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohet si i madh dhe paguajnë 15% tatim fitimi.
Pikërisht këto shtigje ligjore po i nxisin individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël.
Për shembull, një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3.6 milionë lekë në vit) do të paguajë vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit). Nëse ai faturon si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguan janë sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj.
Më herët edhe bizneset e mëdha kishin paralajmëruar se heqja e taksës për bizneset e vogla po bënte që këto të fundit të mos merrnin fatura nga subjektet e mëdha, në mënyrë që të mos kalonin kufirin ku fillonin e taksoheshin, duke ndikuar negativisht në përpjekjet e tatimeve për formalizimin e bizneseve dhe përdorimin e faturave në të gjithë ciklin e tregtimit. Në kahun tjetër bizneset e mëdha filluan të copëzonin aktivitetet për të kaluar si subjekte të vogla.

Studimi, rritja e taksave për pagat e larta nxiti evazionin fiskal

Pak javë më parë, studimi “Punonjësit në hije, ekonomia e fshehur dhe puna e padeklaruar në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”, të realizuar nga CRPM në Maqedoni, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri dhe D4D në Kosovë, konstatonte se, “Sistemi tatimor progresiv i implementuar në Shqipëri, pa masa pozitive për të nxitur punonjësit me paga të larta të deklarojnë punën dhe të paguajnë taksat e tyre, mendohet të rrisë nxitësit për aktivitete të fshehura ekonomike domethënë evazion fiskal”.
Të anketuarit në studimin e përbashkët janë pyetur nëse janë dakord me pohimin “Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët”.
Përgjithësisht pritet që individët me të ardhura më të ulëta të kenë më shumë të ngjarë të ndajnë opinionin se, ata do të preferonin të ishin punonjës të padeklaruar me një pagë më të lartë, sesa të deklaruar me një pagë më të ulët. Megjithatë për Shqipërinë rezulton se niveli i pranimit rritet për individët më të ardhura të larta (mbi 728 euro) dhe shumë prej tyre ka të ngjarë të bien dakord me këtë opinion sesa individët që i përkasin kategorisë së mëparshme të të ardhurave.
Të dhënat për Shqipërinë megjithatë tregojnë një histori të ndryshme nga Kosova dhe Maqedonia. Në përgjithësi ajo që konstatohet për Maqedoninë dhe Kosovën është se në rastin e mosrënies dakord me pohimin (Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët) kurba ka tendencë rritëse me rritjen e nivelit të të ardhurave. Në Shqipëri, punonjësit shqiptarë që jetojnë në familje që fitojnë deri në 728 euro, pajtohen dhe nuk pajtohen me deklaratën, në përqindje relativisht të ngjashme me atë që mund të shihet në Maqedoni dhe Kosovë. Por, niveli i pranimit, bie nga 65% në 61% për punëmarrësit më të pasur, që kanë të ardhura më të mëdha se 728 euro. Pra, në rastin e Shqipërisë, me rritjen e nivelit të të ardhurave ulet mospranimi me deklarimin e sipërpërmendur.
Sipas studimit, mund të ketë shumë faktorë të ndërthurur, që janë përgjegjës për këtë mospërputhje, por njëri prej tyre mund të jetë i lidhur me faktin se që nga viti 2014 Shqipëria anuloi taksën e sheshtë 10% të tatimit mbi të ardhurat dhe zbatoi tatimin mbi të ardhurat progresive prej 13% për të ardhurat mes 220 dhe 950 euro, si dhe një tatim i të ardhurave prej 23% e të punësuarve me të ardhura më të mëdha se 950 euro. Tatimi progresiv i të ardhurave është një barrë shtesë e taksave, që mund të nxisë punonjësit me të ardhura më të larta, të kenë një qëndrim negativ ndaj formalizimit të bizneseve, të cilat nga ana tjetër mund t’i bëjnë ata që të kërkojnë mënyra se si të shmangin e të mos deklarojnë aktivitetin e tyre ose masa të tjera për të shmangur pagimin e taksave, pavarësisht se i kanë mundësitë për ta bërë këtë.

Artikulli paraprakKLSH: Perceptim negativ i qytetarëve për bashkitë e reja
Artikulli tjetërDështimi spektakolar i Velinës, mblodhi 56% të të ardhurave