KLSH: Perceptim negativ i qytetarëve për bashkitë e reja

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim për performancën e Reformës Territoriale vërejti se, perceptimi i qytetarëve nuk ishte pozitiv për punën e bashkive të reja. KLSH ushtroi kontroll të imtësishëm në bashkitë Shkodër, Vlorë, Selenicë, Berat dhe Kuçovë.
Inspektorët e KLSH-së kanë vënë re se bashkitë e përfshira në auditim gjatë vitit 2016, si viti i plotë dhe i parë i konsolidimit të bashkive të reja në kuadër të implementimit të Reformës Administrativo-Territoriale, nuk e kanë matur perceptimin e qytetarëve mbi impaktin e reformës dhe qëndrimin e administratave të bashkive me përjashtim të Bashkisë Kuçovë.
Nga analiza sasiore dhe cilësore e rezultateve të pyetësorëve të plotësuar nga qytetarët nëpërmjet grupit të auditimit të KLSH-së në bashkëpunim me stafet e NJQV, të përfshira në auditim, rezulton se në shumicën e indikatorëve, perceptimi i qytetarëve nuk është pozitiv për paraqitjen e bashkisë së re gjatë vitit 2015-2016, objekt i auditimit.
Një pjesë e mirë e qytetarëve raportojnë për mungesë të pranisë së bashkisë në komunitet, për punësime sipas përkatësisë partiake dhe me miqësi në bashki, për sorollatje të qytetarëve në ofrimin e shërbimit dhe kërkimin e të drejtave të tyre, për mungesë integriteti dhe besueshmërie të punonjësve të bashkisë, etj.
Nisur nga rezultatet e anketimit, KLSH rekomandon për bashkitë Shkodër, Vlorë, Selenicë, Berat dhe Kuçovë të marrin në analizë rezultatet e pyetësorëve të plotësuar nga qytetarët dhe të bëjnë një analizë të mirëfilltë në rang bashkie.
KLSH këshillon bashkitë që vlerësojnë pozicionin e bashkisë në raport me treguesit dhe të marrin masa duke ndërtuar plane pune taktike e operacionale për rritjen e performancës së punonjësve të bashkive në raport me qytetarët në drejtim të integritetit, besueshmërisë, gatishmërisë për të shërbyer me cilësi dhe në kohë, meritokracisë dhe ndershmërisë në veprimtarinë e përditshme.
KLSH u rekomandon bashkive të marrin masa për të ngritur sisteme të vlerësimit në mënyrë periodike të perceptimit të qytetarëve për veprimtarinë e administratës së bashkisë, duke aplikuar metoda efektive si nëpërmjet kontaktit direkt me qytetarët me intervista apo pyetësor.

Artikulli paraprakMasakra e betonit e Dakos mbi zbulimet arkeologjike
Artikulli tjetërIndividët me paga të larta biznese të vogla për të mos paguar TAP-in