Dështimi spektakolar i Velinës, mblodhi 56% të të ardhurave

Buxhetet e njësive vendore historikisht ekzekutohen në mungesë të plotë transparence, edhe pse parimet për llogaridhënie në këtë drejtim në legjislacion janë të mirëpërcaktuara. Vetëm pas dy vitesh, shihet se bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës, ka mundur të realizojë planin e të ardhurave me 56 për qind të programit.
Sipas buxhetit faktik që do të miratohet nga Këshilli Bashkiak, shihet se nga të ardhurat e programuara prej 7.4 miliardë lekësh janë realizuar vetëm 4.1 miliardë lekë.
Viti 2015 ka qenë një vit zgjedhor, kur Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë zbatuar së bashku buxhetin. Zoti Lulzim Basha deri më 21 qershor dhe më pas nga 13 korriku deri në fund të vitit, zoti Erion Veliaj.
Siç shihet nga të dhënat zyrtare, 2015-a ka qenë një vit i vështirë fiskal për shkak se programi i të ardhurave dhe ai i shpenzimeve janë realizuar përgjysmë.
Shpenzimet e programuara prej 13 miliardë lekësh u realizuan vetëm 8.7 miliardë lekë ose 65% e programimit.
Mosrealizimet më të mëdha shihet t’i kenë pasur zëra me ndikim në shtresat vulnerabël. Fondet për strehimin dhe planifikimin e territorit janë realizuar vetëm 11 për qind. Nga 522 milionë lekë të programuara janë disbursuar vetëm 60.2 milionë lekë. Më tej, mosrealizim të lartë kishin fondet për ujësjellës-kanalizime, të cilat u alokuan në vetëm 31 për qind të programit.
Realizim më të lartë në zërin e shpenzimeve shihet të kenë shpenzimet për kujdesin social dhe shërbimet publike vendore në më shumë se 83 dhe 81 për qind të programimit.
Por teksa Bashkia e Tiranës ka çuar për miratim bashkiak realizimin e programit buxhetor të 2015, shihet se raportimi është bërë i detajuar vetëm në krahun e shpenzimeve, teksa raportimi i të ardhurave është bërë i cunguar jo sipas zërave fiskalë.
Për vitin 2016 nuk ka ende të dhëna të hapura për realizimin e treguesve buxhetorë të bashkisë, teksa buxheti i këtij viti synon të arkëtojë 100 milionë euro apo 14.2 miliardë lekë (përfshirë 650 milionë lekë të mbetura nga 2016), me një rritje prej 2 për qind në krahasim me planin e pritshëm 2016.
Të ardhurat tatimore do të jenë 7 miliardë lekë, ato jotatimore 4.8 miliardë lekë dhe të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar 1.9 miliardë lekë.
Në kahun e shpenzimeve, ato korente do të jenë 8.3 miliardë lekë dhe ato kapitale gati 6 miliardë lekë. Pritet që gjatë vitit 2017 të zgjerohet dhe sistemohet shtrati i lumit Lanë, pylli orbital (mbjellja e 2 milionë pemëve në brezin e ri të qytetit), terminali i transportit (që synohet të përfundohet brenda vitit 2017), rrjeti minimal i biçikletave (krijimi me shpejtësi i korsive të dedikuara në akset kryesore, Rrugën e Dibrës, Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës, Zogu i Parë dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, unazën e parë dhe të tretë të qytetit), 17 shkolla të reja, vazhdimi i rehabilitimit të rrugëve, ndërsa do të prezantohet dhe Plani Rregullues i Tiranës.

Artikulli paraprakIndividët me paga të larta biznese të vogla për të mos paguar TAP-in
Artikulli tjetërFalimenti, shtohen rastet në gjykatë