Do importohet energji me çmim më të lartë se i bursës

Rënia e nivelit të ujit në basenin e Fierzës ka rikthyer fuqishëm importet e energjisë këtë verë. Importet nga OSHEE shënuan rekordin e viteve të fundit duke tenderuar 16 milionë euro për muajin korrik.
Vitin e fundit ishte vënë re një stabilizim i çmimeve të importit i harmonizuar me bursat. Po tenderi i fundit i OSHEE për muajin korrik faturoi një çmim mesatar 56.95 euro për MW, teksa çmimi i bursës së Hungarisë që është referencë për ankandet në Shqipëri për muajin korrik parashikohet 48.84 euro për MW (diferenca rreth 9 euro).
OSHEE e importoi energjinë e korrikut plot 10 euro më shumë se çmimi në bursa, diferenca më e madhe e vërejtur gjatë viteve të fundit.
Totali i energjisë elektrike të ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a., për periudhën 28 qershor 2017 deri 31 korrik 2017 ishte 285,600 MWh dhe e konvertuar në vlerë monetare 16,396,758 euro (vlera pa TVSH), me çmim mesatar prej 57.41 eu/MWh (59.54 eu/MWh për periudhën 28-30 qershor 2017 dhe 57.21 Eu/MWh për periudhën 01-31 korrik 2017).
Në vijim të kontratave të lidhura, shoqëritë Devolli Hydropower, EFT AG, GSA shpk, GRID Energy, GEN-I Tirana shpk dhe AXPO doo Beograd do të fillojnë lëvrimin e energjisë elektrike në OSHEE sh.a., sipas kontratave përkatëse dhe kushteve të përcaktuara.
OSHEE njofton se shoqërive GRID Energy dhe GEN-I Tirana nuk iu pranuan sasitë prej nga 5 MW në profilin band, kurse shoqërisë NOA Energy Trade nuk iu pranua e gjithë sasia e ofruar për shkak të plotësimit të sasisë së kërkuar nga shoqëritë e tjera me çmim/njësi më të ulët.
Nga parashikimi i ngarkesës totale në rrjetin e shpërndarjes, duke zbritur parashikimin e prodhimit të enegjisë së prodhuar nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike dhe parashikimin e prodhimit e KESH sh.a, furnizimi i pjesës së mbetur të ngarkesës me energji elektrike do të realizohet nga blerja në import.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBlerja e votave, euro rënie pikiatë ditën e zgjedhjeve