Importi rrezikon prodhuesit vendas

Sasia më e madhe e mallrave të prodhuara në Kosovë vazhdon të mbetet brenda territorit të vendit, duke bërë që shteti i Kosovës të jetë i varur nga importi i pothuajse të të gjitha produkteve të nevojshme nga vendet e rajonit, por edhe të Evropës. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro. Pavarësisht kushteve të rënda me të cilën përballet industria e prodhimit dhe tregu nuk mbulohet qind për qind me produkte “Made in Kosova”, megjithatë ka prodhime dhe shporta e konsumatorit mund të mbushet me produkte vendore. Por, disa qytetarë ende hezitojnë të furnizohen me këto produkte. Arlinda Berisha qytetare nga Prishtina, konsideron se prodhimet e industrisë së qumështit janë cilësore, por dyshon në cilësinë dhe kualitetin e produkteve tëtjera. “Jo të gjitha produktet janë cilësore, por ka të mira. Unë produktet e qumështit në shumicën e rasteve i blej nga prodhuesit vendorë”, thotë Arlinda. Kohëve të fundit me produktet kosovare ka filluar ta mbush shportën një qytetar tjetër, Blerim Ademi.

Ai thotë se është i kënaqur më cilësinë e prodhimeve, madje shprehet se paragjykimet e shoqërisë kanë ndikuar që prodhimet vendore të mbesin në vitrinat e dyqaneve. “Kam filluar të blej produkte ‘Made in Kosova’ është përmirësuar cilësia e tyre. Kur fillon t’i konsumosh, atëherë do nuk ndërrohen me produktet e tjera”, thotë Ademi. Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, thonë se duhet gjetur forma që paratë e buxhetit dhe qytetarëve të mbeten në Kosovë. Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, nëse vendi shndërrohet në shoqëri të varur nga importi, në Kosovë do mbillet varfëria dhe do vështirësohet perspektiva për zhvillim ekonomik. “Po, mbi të gjitha, paraja e diasporës, që fitohet me mund të madh nuk e meriton paraprakisht të jetë e gjykuar për t’u eksportuar, për të blerë mallra në vendet e rajonit”. “Në këtë drejtim janë bërë hapa, mirëpo nuk mjafton që të jemi të kënaqur, sepse krahas subvencionimit, ekonomia kosovare ka nevojë për mbrojtje nga një të themi agresivitet i vendeve të rajonit, të cilët në forma të shkruara dhe të pashkruara përgatitin pako të veçanta fiskale, vetëm për ta shkatërruar ose për ta shkatërruar prodhimin e Kosovës”, thotë Gërxhaliu.

 

Artikulli paraprakPosta në situatë kaotike, s’ka para për paga
Artikulli tjetërEuro dhe dollari nuk ndalin rënien