Hysaj: Na duhen pikë me Francën

Në mungesë të Lorik Canës, i pezulluar për shkak të ndëshkimit me karton të kuq ndaj Zvicrës, shiritin e kapitenit kundër Francës pritet ta mbajë Elseid Hysaj. Mbrojtësi i Napolit, theksoi se është gati ta mbajë këtë përgjegjësi. 22-vjeçari e ka të qartë se për të shpresuar të kalimi i grupit, Shqipëria duhet të marrë pikë ndaj organizatorëve të turneut.
“Shiriti i kapiteni është kënaqësi e madhe. Dihet që do të kem më shumë përgjegjësi, por besoj se do të jap maksimumin, sikurse Loriku. Do të bëjmë të pamundurën që të marrim pikë, sepse po mbarojnë ndeshjet dhe na duhen pikët për t’u kualifikuar. Do të jem i qetë, pavarësisht emrit të kundërshtarit. Si kapiten ose jo, do të jap maksimumin në fushë”, u shpreh Hysaj.
Duke iu kthyer humbjes me Zvicrën në debutim, Hysaj kujtoi se kuqezinjtë treguan karakter dhe ditën të reagonin, ndërsa presioni në një nivel kaq të lartë ekziston gjatë gjithë lojës. “20 minutat e para ishin shumë të vështira, sepse Zvicra është shumë e fortë. Në fakt të gjitha skuadrat vuajnë në 20 minutat e para dhe më vonë, kjo pak rëndësi ka. Ne treguam se kemi cilësi për t’i kaluar vështirësitë dhe për të ndryshuar rezultatin”, tha ai.
Pjesëmarrja në “Francë 2016”, por edhe me shiritin e kapitenit në krah do të përjetohet me shumë emocione nga e gjithë familja Hysaj. Elseidi zbuloi edhe një episod të veçantë me gjyshin e tij, kur sapo kishte nisur të luante futboll. “Gjyshi im erdhi për të herë të parë të më ndiqte në një ndeshje kur isha fëmijë. Që nga ai moment më tha se nuk i përballonte dot emocionet, kështu që do të më shikonte gjithmonë nga televizioni”, përfundoi Hysaj.
Ndërkohë, Franca ka dërguar një spuin tek Kombëtraja jonë. Raport i “spiunit” të kuqezinjve, Patrik Gonfalon, do të ndikojë në taktikat e përzgjedhura nga francezët për ndeshjen e së mërkurës mes Shqipërisë dhe Francës, e cila do të luhet në Marseille nga ora 21:00. Sipas “RMC Sport”, Gonfalon do të mblidhet me të gjithë stafin teknik të Francës, për të shpalosur analizën e plotë rreth lojës së kombëtares shqiptare dhe çdo lojtari në përbërjen e saj.
Ai ka ndjekur që në mars ekipin drejtuar nga Gianni De Biasi, në secilën prej miqësoreve që ka zhvilluar, ndërsa të shtunën ishte i pranishëm edhe në stadiumin e Lens për të ndjekur takimin kundër Zvicrës. Raportimi kryesor do të jetë për sa i përket fazës mbrojtëse të ekipit shqiptar dhe dilemat që ka De Biasi, për të zëvendësuar Canën e pezulluar me Kukelin, apo me Ajetin.

Artikulli paraprakNdeshja e mbijetesës
Artikulli tjetërSpanja fiton me vështirësi