Huatë me probleme rriten sërish në janar

Huatë e pakthyera në afat në banka nga bizneset dhe individë iu rikthyen rritjes në janar, pas një rënieje prej gati një vit radhazi.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në janar kreditë me probleme u rritën në 13.45%, nga 13.23%, që kishin qenë në dhjetor. Përgjithësisht dhjetori është një muaj kur bankat fshijnë nga bilanci huatë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen dhe kjo ndikon në përmirësimin e këtij treguesi.
Viti 2017 ishte shumë pozitiv në drejtim të kthimit të kredive me probleme. Huatë problematike në dhjetor arritën në 13.23% të totalit të kredisë, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%.
Ky ishte niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri, pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-ën u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj. Një tjetër faktor që ndikoi në përkeqësimin e portofolit të bankave ishte dhe përqendrimi i huave në pak kompani të mëdha, ku 35 sipërmarrje kishin mbi 60% të totalit të huave me probleme.
Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një proces ristrukturimi të huasë me probleme, një kombinim i fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, por edhe ristrukturimit të kompanive. Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysma e 35 kompanive kanë ristrukturuar huatë dhe po i kthejnë gradualisht.

Rreth 7 kompani vlerësohet se janë të falimentuara dhe nuk ka mundësi rikuperimi. Bankat nga ana e tyre kanë bërë dhe shkurtim të kredive për disa biznese (fshirje e një pjese, kur kthehet një përqindje e caktuar).
Në vlerë absolute, kredia që nuk kthehet për më shumë se tre muaj është 72 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, nga 99 miliardë lekë që ishin në fund të 2016-ës. Deri në fund të 6-mujorit të parë, bankat kishin fshirë në total nga bilancet 43 miliardë lekë, ose rreth 320 milionë euro.
Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Banka e Shqipërisë sqaron se, cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.
Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, thotë se rënia e raportit të kredive me probleme tregon se, bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit. Por, rritja në janar tregon se ulja e mëtejshme e huave me probleme do të jetë një mision i vështirë.

Artikulli paraprakDua të fitoj kundër Realit më të mirë
Artikulli tjetërMbyllen mijëra biznese të vogla nga shtrirja e TVSH-së