Higuain te Juventusi?

Juventusit i pëlqen Higuain prej vitesh, por tani ka ardhur momenti për të guxuar transferimin e bujshëm. Çdo orë rriten shanset për realizimin me klubin bardhezi që ka vendosur t’i dorëzojë këtë të hënë një superofertë Napolit. Kampionët e Italisë kanë vendosur t’i afrohen sa më tepër klauzolës prej 94.5 milionë eurosh, që sipas stafit të futbollistit është ende e vlefshme. Është pikërisht ky detaj që i jep forcë bardhezinjve, duke qenë se El Pipita mund të gjejë një blerës edhe më pas. Natyrisht që qëndrimi i presidentit të Napolit, Aurelio de Laurentiis nuk ka ndryshuar, nuk do që të privohet nga goleadori i tij e aq më pak të lejojë kalimin te një skuadër rivale në Itali edhe pse tanimë e di mirë se argjentinasi nuk do të rinovojë kontratën që i skadon më 2018.
Napoli do të preferonte një shitje jashtë Italisë me Arsenalin që ka ofruar 60 milionë euro plus kartonin e Giroud. Gjithsesi në shtëpinë bardhezi janë optimistë dhe shpresojnë te takimi i fiksuar këtë të hënë mes Beppe Marottës dhe presidentit të Napolit për të diskutuar mbi transferimin e Roberto Perevras te të kaltërit. Allegri e vlerëson së tepërmi Higuain, të cilin e konsideron si lojtarin klasik që mund të ndihmojë Juventusin për të arritur Championsin, që i shpëtoi nga duart në finalen me Barcelonën, ndërkohë që edhe vetë Higuain synon ta luajë Championsin me një skuadër tjetër, ku mund të ketë më shumë shanse për ta fituar se sa me Napolin.
Te Juventusi i kanë bërë llogaritë për të arritur te sulmuesi që e kërkuan dy vjet më parë, para se të kalonte te Napoli buxheti është projektuar, me 30 milionë eurot e arkëtuara nga transferimi i Morattas, plus 25 milionë euro të tjera që mendohet të merren nga shitja e Zaza-s te Wolfsburg, si dhe 18 milionë që mendohet se do të merren nga shitja e Perera, shuma me të cilën mund të arrihet te Pipita bëhet më e lehtë për arkat e bardhezinjve.
Ndërkohë, Dimitri Payet ka deklaruar se nuk do të largohet nga West Ham. Të rrallë ishin ata që kishin dëgjuar për Dimitri Payet para fillimit të Europianit, por me kombëtaren e tij mesfushori vërtetoi vetëm atë që kishte treguar sezonin e fundit me skuadrën e tij në Premier League, West Ham-in. Që gjatë sezonit të kaluar, lojtari 29-vjeçar ngjalli interesin e klubeve më të mëdha në Europë, ndërsa pas Euro 2016 interesimi u bë më konkret.
Por, megjithatë ylli i Europianit dhe i kombëtares franceze, Dimitri Payet ka hedhur poshtë të gjithë zërat e merkatos, duke u shprehur se dëshira e tij është të vazhdojë edhe më tej në Premier League me West Ham. Ai siguron tifozët e skuadrës londineze se do të qëndrojë me 100% te West Ham, pasi e dashuron këtë skuadër dhe pret me padurim fillimin e sezonit të ri.

Artikulli paraprakInter-Mançini, drejt “divorcit”?
Artikulli tjetërRonaldo, sportisti që bën më shumë bamirësi