Hetimet: Pyjet digjen për të mbuluar korrupsionin

Shumica e zjarreve që po shkrumbojnë pyjet në të gjithë vendin janë të qëllimshme dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me barinj të papërgjegjshëm, por për të fshehur korrupsionin e strukturave shtetërore. Sipas dëshmive dhe hetimeve që tashmë janë në duart e organit të akuzës, nuk bëhet fjalë thjesht për ripërtëritje të kullotave, por edhe për mbulim të aferave korruptive.
Pra, nëse shihen me kujdes arsyet e kësaj vepre kriminale në kurriz të pasurive kombëtare, të gjitha kanë lidhje me institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal. Bëhet fjalë për shmangie taksash, grante të dhëna nga ministritë përkatëse etj. Gjithashtu dihet se korrupsioni në biznesin e lëndës drusore dhe shfrytëzimit të pyjeve është mjaft i përhapur. Vënia e zjarrit në pyje është një mënyrë efikase, për të mbuluar aferat me zyrtarët e korruptuar në ministritë përkatëse dhe në pushtetin lokal.
Policia e Shtetit njoftoi dje se ka dërguar në Prokurori një raport të hollësishëm në lidhje me hetimet për zjarrvëniet në zona të ndryshme të vendit. Sipas unifopolicisë, janë identifikuar 35 persona si përgjegjës për 34 vatra zjarri, prej të cilëve nëntë akuzohen, se i kanë ndezur zjarret me qëllim.
Në raportin policor që i referohet periudhën, 1 korrik -14 gusht 2017, për situatën e zjarreve në vend, jepet edhe informacion për motivet e zjarrëvënies me qëllim. Sipas këtij raporti ato janë; Për ripërtëritjen e kullotave; Zjarret vihen nga personat, të cilët kanë marrë në përdorim pyjet, me qëllim shmangien e taksave; hapje tokash të reja; përdorimin i granteve për shëndetësim pyjor etj.
Ndërkohë, zjarret vijojnë të shkrumbojnë pyjet. Sipas Emergjencave Civile vetëm ditën e djeshme janë shfaqur 5 vatra të reja. Vatrat e zjarrit ngelen ende rrezik për vendin tonë, ndonëse temperaturat kanë pësuar ulje. Kështu, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 5 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Korçë, Vlorë e Gjirokastër.
Janë ende aktive vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Finiq dhe Delvinë. Situata ka qenë problematike në fshatrat Janicat, Leshnicë e Sipërme dhe Leshnicë e Poshtme, Bashkia Finiq, si dhe në pyllin e Pilloit të fshatit Vergo, Bashkia Delvinë.
Vijon aktive vatra e zjarrit në fshatin Sinaballaj të Bashkisë Rrogozhinë. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të mbështetura edhe nga një helikopter po punojnë për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit.
Kanë vazhduar të jenë të ndezura disa vatra zjarri në Jorgucat të Bashkisë Dropull dhe në fshatrat Kardhiq dhe Dhoksat të Bashkisë Gjirokastër. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake kanë punuar duke shuar plotësisht zjarret në Dhoksat, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e vatrave të fshehura në fshatin Jorgucat dhe Kardhiq.
Është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha në fshatin Panarit, Bashkia Korçë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të mbështetura nga forca ushtarake, por kërkohet ndërhyrje nga ajri, për shkak të vështirësive të terrenit.

Artikulli paraprakAfera e IMSI Catcher, Gjykata kundër Prokurorisë për Çakon
Artikulli tjetërBeqja nuk ndalet 4.1 miliardë lekë tendera për shërbime qeveritare