Afera e IMSI Catcher, Gjykata kundër Prokurorisë për Çakon

Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të gjetura në pajisjet e marra në zyrën e Haki Çakos, Artion Dukës dhe ekspertit të IT-s në polici Ention Xheliljat. Në vendimin e datës 24 korrik 2017, gjyqtari Astrit Faqolli e quan të pabazuar në ligj dhe në prova kërkesën e Prokurorisë.
Bëhet fjalë për pajisje kompjuterike, të cilat u sekuestruan në zyrat e Çakos, Dukës dhe Xheliljat, të cilat u sekuestruan në kuadër të hetimeve për “IMSI CATCHER”. Një pajisje e cila sipas hetimeve të Njësisë Task-Forcë (të deklaruara 1 vit më parë) ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizonte interceptime telefonike. Ndërkohë pala italiane deklaronte se, pajisja kishte për qëllim trajnimin e policisë.
“Nga organi i Prokurorisë nuk është parashtruar dhe nuk është argumentuar se me sekuestrimin e këtyre të dhënave kompjuterike, kush është qëllimi i hetimit, çfarë do të provojë sekuestrimi i këtyre të dhëna në këtë vepër penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Më tej, gjyqtari argumenton se, “Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor procedim penal nr. 3146 të vitit 2016 e ka filluar ndaj shtetasve Haki Çako, Artion Duka dhe Ention Xheliljat për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, parashikuar nga 248 e 301 të Kodit Penal.
Asnjëra nga këto vepra penale nuk është nga ato vepra të parashikuara në nenin 208/ a të Kodit të Procedurës Penale “në fushën e teknologjisë së informacionit” në mënyrë që të shtrihet hetimi edhe në sekuestrimin e këtyre të dhënave kompjuterike.
Vetë ky nen e ka përcaktuar në mënyrë taksave se sekuestrimi i të dhënave kompjuterike vendoset nga Gjykata vetëm në ato raste, kur ka një regjistrim të procedimit penal në fushën e teknologjisë së informacionit”.
Në qershor të vitit 2016 me vendim të Gjykatës së Tiranës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u pezullua nga detyra me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë dy drejtorë të tjerë nga sektori i Forcave Operacionale u pezulluan për pengimin e zbardhjes së të vërtetës.

Artikulli paraprakBilanc tragjik, 22 pushues të mbytur në këtë sezon turistik
Artikulli tjetërHetimet: Pyjet digjen për të mbuluar korrupsionin