Beqja nuk ndalet 4.1 miliardë lekë tendera për shërbime qeveritare

Kur vjen puna për tendera dhe zhvatje fondesh, Ilir Beqja nuk zhgënjen. Ai është në krye të listës sa herë që përmenden koncesione, përfitime tenderash apo lajme të tjera të lidhur ngushtë me sasi të mëdha parash. Ai sërish rezulton të jetë duke shijuar fonde marramendëse përmes kompanisë së tij Intech+, që megjithë denoncimet publike dhe akuzat që rëndojnë për përfitimet abuzive të kësaj kompanie, ajo vijon ende të jetë ndër më të lakuarat për fondet që merr nga institucionet publike.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në portalin e të dhënave Open Data për të parë se si Ilir Beqja vijon të jetë kampion në zhvatjen e tenderave publikë. Kompania e tij Intech+ numëron dhjetëra tendera të fituara me një vlerë prej 4.1 miliardë lekësh në vetëm një vit, viti 2016 deri në gusht të 2017, ku fondet në 90% të rastit janë dhënë nga Agjencia Kombëtare e Informacionit. Në zërat e specifikuar për tenderat e fituara nga kompania e Beqjes spikasin ato të shërbimeve qeveritare.

Midis shumë institucionesh publike vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar dhe vijon t’i përfitojë edhe sot nga AKSHI për portalin qeveritar “e albania”. Janë rreth 414,851,847.00 lekë ose 4.1 miliardë të fituara për rreth një viti. Në total kompania Intech+, brenda një kohe të shkurtër ka përfituar nga tenderimet publike një shumë rreth 15 milionë dollarë, duke i shtuar shumës së këtij viti edhe 11 milionë dollarë që kompania e tij përfitoi gjatë periudhës 2013-2015.

Sigurisht që suksesi i papritur i kësaj kompanie lidhet me emrin e ministrit të famshëm gjithashtu për tenderimet dhe konçesionet në ministrinë e tij, vetë zotin Ilir Beqaj. Ish-ministri i Shëndetësisë ka qenë aksioner kryesor i kompanisë Intech+, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj i ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër. Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë, që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Shumëkush e mban mend që Intech+ ia dogji mandatin deputetit Ilir Beqaj në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike nga Bashkia e Durrësit. Për të mos e djegur edhe mandatin e dytë, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet dhe ai u emërua ministër i Shëndetësisë, më 9 shtator 2013, Ilir Beqaj i shiti pra aksionet e tij, 51 për qind, në shumën e afërsisht 120 mijë eurove. Me këtë akt, kompania Intech+ i kishte duart e lira të përfitonte nga tenderat publikë dhe ministri ishte formalisht në rregull.

E ndërsa vetë Beqaj akuzohej thuajse çdo ditë për tenderime e konçesione skandaloze në ministrinë e tij, kompania Intech+ lulëzonte në biznesin e saj me administratën e re të partisë së Ilir Beqajt. Me ose pa ndikimin e kryeministrit Rama, kompania ku kishte qenë pronar ish-ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milionë dollarëve nga institucione si Bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Ministria e Financave, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Gjatë vitit 2015, Inthech+ ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj. Në total, për katër vite kompania që ishte në emër të ish-ministrit Beqaj, ka marrë rreth 15 milionë dollarë nga tenderat e fituar, në shumën prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme.

Artikulli paraprakHetimet: Pyjet digjen për të mbuluar korrupsionin
Artikulli tjetërFaqja e pare