Helmohen nga ushqimi 50 dasmorë në Durrës, 12 në gjendje të rëndë

50 dasmorë janë helmuar gjatë natës së mbrëmshme në një dasmë në qytetin e Durrësit. Persona e helmuar janë dërguar në Spitalin e Durrësit, ku 38 prej tyre pasi kanë marrë ndihmë e nevojshme janë larguar, ndërsa për 12 të tjerë, gjendja shëndetësore e të cilëve ka qenë më e rëndë, janë shtruar në spital.
Mësohet se Drejtoria e Shëndetit Publik ka marrë mostra nga ushqimet e përdorura në dasmë për analiza, të cilat priten të përcaktojnë edhe shkakun e helmimit.

Të helmuarit tregojnë çfarë i ndodhi në dasmë

Të shtruarit në spital thanë për gazetarët se gjatë dasmës ushqimi iu duk i mirë. Problemet nisën disa orë pas dasmës. Ata u paraqitën në spital me diarre dhe temperaturë të lartë. “Pacienti i parë që ka ardhur është paraqitur duke u gdhirë dita e martë. Ka qenë me shqetësime gastrointestinale, pra bark, të vjella, temperaturë të lartë dhe mbasi ka marrë ndihmën e parë në Repartin e Urgjencës është paraqitur në spital, pasi gjendja nuk është përmirësuar. Pas dy orësh, ka ardhur një çift, të cilët kishin qenë në këtë dasmë. Erdhën punonjës të Drejtorisë së Higjienës, morën të dhëna, kanë shkuar edhe në burim, aty ku ka qenë dasma, kuzhinieri thotë që nuk ka më mostra të ushqimit. Po atë ditë, po të martën pasdite kanë ardhur edhe 9 të tjerë, deri në 12 të natës kemi pasur prurje. Të gjithë kanë qenë me të njëjtat shenja”, thotë shefja e Repartit Infektiv Nadire Jani.
Ndërkohë vetë dasmorët treguan për gazetarët, se nuk kishin kuptuar asgjë përse arritën në atë gjendje. “Ishim në dasmë, erdhëm këtu petë. Nuk kuptuam asgjë, darka për mrekulli, pastërtia e lokalit në maksimum, vetëm ditën tjetër na dha shqetësim. Kam tre ditë në spital, ndihem më mirë”, tha një grua.
“Jemi më mirë tani, shkuam në dasmë, hëngrëm në dasmë, u kënaqëm atje, ditën e tjetër pastaj, u sëmurëm”, tha një tjetër. “Nuk e dimë çfarë ndodhi, jam me temperaturë akoma, nuk e dimë nëse ka qenë nga ushqimi”, u shpreh një dasmor tjetër.
Pritet përfundimi i analizave toksikologjike për të parë se kush e ka shkaktuar helmimin e ushqimit. Nëse do të vërtetohet se helmimi është shkaktuar nga ushqimi, pritet që të merren masa administrative ndëshkuese ndaj pronarit të lokalit. Lokali ku është zhvilluar dasma mësohet se është në pronësi të 57-vjeçarit Dh.K.

Artikulli paraprakNdotet bregdeti i Durrësit, Bashkia s’merr asnjë masë
Artikulli tjetërGjykata tjetër vendim, për “Ballist” Morinën, Avokati: Nuk do të ekstradohet në Serbi!