Ndotet bregdeti i Durrësit, Bashkia s’merr asnjë masë

Në një kohë kur plazhi i Durrësit ka numrin më të madh të pushuesve, bregu i detit është ndotur keq. Edhe pse kjo situatë shqetësuese është bërë prezent në Bashkinë e Durrësit, nga ana e saj nuk është marrë asnjë masë. Leshterikët që nuk pastrohen e kanë bërë të pamundur qëndrimin në plazh. Leshteriket kanë dalë në breg, kurse koshat e mbushur me mbeturinat janë aty në këmbët e pushuesve. Në kilometrin e parë të bregdetit të Durrësit është e pamundur të bësh plazh.
Brezi i rërës dhe ujërat e detit në disa metra thellësi janë ndotur. Mbeturinat urbane janë hedhur mbi rërë duke e ndotur masivisht atë, kurse mirëmbajtësit nuk duken prej kohësh. Një situatë e tillë është në pikun e sezonit turistik, në një kohë kur plazhi është i mbipopulluar nga pushuesit. Ata tregojnë për neglizhencë të autoriteteve, duke lënë pas dore këtë bregdet, i cili për vite me radhë është identifikuar si epiqendra e turizmit shqiptar.
Por, ky nuk është i vetmi plazh që ofron për pushuesit mungesë të theksuar higjiene dhe pamje aspak të denja për një qytet bregdetar turistik. Në një gjendje akoma më të keqe ku ujërat e ndotura shkarkohen direkt e në det, ofron edhe plazhi nga shëtitorja “Taulantia” në drejtim të Currilave.

Artikulli paraprakRrjedhja e gazit në Portin e Durrësit, tre punonjës përfundojnë në spital
Artikulli tjetërHelmohen nga ushqimi 50 dasmorë në Durrës, 12 në gjendje të rëndë