HEC-et, banorët e Valbonës protestë në bulevard

Banorët e Valbonës në Tropojë kanë shpallur atë që ata e quajnë qëndresë 20 orëshe përballë Parlamentit të Shqipërisë, si shprehje të revoltës së tyre për atë që ata e quajnë masakër në luginën e Valbonës. Banorët thonë se, vendimi vjen pas dy vitesh protesta të vazhdueshme të qytetarëve dhe thirrjes së drejtuar autoriteteve shtetërore “për frenimin e funeralit të Valbonës”. Duke e konsideruar të turpshëm dhe arbitrar vendimin e Gjykatës Administrative, që vendosi sipas tyre për interesa të ngushta oligarkësh, banorët paralajmërojnë se nuk ka kthim mbrapa. “Qëndresa jonë vijon deri nesër në marshimin e madh që nis në orën 11:00 nga Parlamenti drejt Kryeministrisë. Ne nuk do e falim kurrë Valbonën. Protesta dhe revolta e shqiptarëve shumë shpejt do të zbresë në kantieret e dhunimit të pa shembullt të perlës së alpeve shqiptare. Me qindra do të jemi nesër në marshim, me qindra do të marshojmë së shpejti në Valbonë”, thuhet në njoftim. Kjo nuk është protesta e parë që zhvillohet nga banorët e Valbonës. Qindra qytetarë kanë protestuar paraditen e së dielës (17.12.2017) për ndalimin e ndërtimit të HEC-ve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Nën moton #mosmaprekValbonën protestuesit mbajtën fjalime në Parkun Rinia në Tiranë, ku argumentuan se HEC-e të tilla do të shkatërrojnë përfundimisht një nga perlat e turizmit dhe natyrës në Shqipëri, siç është Parku Kombëtar i Valbonës. “Për ndërtimin e këtyre HEC-ve së pari, duhet të kishim pasur një konsultim me banorët dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Vendimi i ndikimit në mjedis është i pavlefshëm, sepse është dhënë në korrik 2013-të dhe pas dy vitesh nuk vlen më, pasi duhej të bëhej nga e para dhe me sa informacion kam unë nuk e kanë një gjë të tillë. Një vendim i qeverisë marrë kohët e fundit, parashikon se në zonat e mbrojtura nuk jepen më leje për ndërtimin e HEC-ve”, u shpreh në fjalën e tij pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci. Në Rezolutën e Parlamentit Evropian të vitit 2016-të deklarohej se duhej të rritej transparenca dhe konsultimet me publikun për të gjitha projektet e HEC-ve, të cilat ishin planifikuar për t’u ndërtuar.

 

Artikulli paraprakMuller vlerëson Heynckes për bashkimin e Bayern
Artikulli tjetërEkonomia e dobët dhe komisionet e larta, largojnë qytetarët nga bankat