Gjermania kundër sanksioneve të reja të SHBA ndaj Rusisë

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të kundërpërgjigjet ndaj legjislacionit për sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, pasi mund të dëmtohen çështje biznesi të kompanive perëndimore me Rusinë.
Në legjislacionin e ri që u miratua me shumicë votash nga Kongresi në SHBA, sanksionet përfshijnë edhe disa firma ruse të energjisë. Ky legjislacion pritet të nënshkruhet nga presidenti Trump.
Liderët evropianë kanë thënë se sanksionet e reja do të dëmtonin ekonomitë e tyre.
Dispozitat mund të ndikojnë në Evropë, ashtu që mund t’i lejojnë presidentit Trump të vendosë sanksione ndaj bizneseve të Perëndimit, të cilat punojnë me Gazpromin e Rusisë.
“Shumë thjesht, ne këto sanksione i konsiderojmë kundër ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, në një intervistë për gazetën “Funke Mediengruppe”.
“Amerikanët nuk mund të ndëshkojnë kompanitë gjermane sepse kanë interesa të biznesit në shtete të tjera”, ka shtuar ajo.
“Sigurisht që ne nuk duam luftë tregtare. Mirëpo është e rëndësishme që Komisioni Evropian të marrë masa”, ka thënë ndër të tjera, Zypries.
Sipas saj, Berlini i ka kërkuar disa herë Uashingtonit të mos përfshijë dispozita që prekin kompani evropiane, në kuadër të legjislacionit për sanksionimin e Rusisë, pas supozimeve se ky vend ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për agresionin në Ukrainë dhe çështje të tjera.

Artikulli paraprakZe Maria: Nisim rrugën drejt Superiores
Artikulli tjetërPikëpyetje mbi mbledhjen e Parlamentit të ri në Kosovë