Ze Maria: Nisim rrugën drejt Superiores

31 korriku ishte dita që Tirana nisi zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Pas pjesëmarrjes në turin e parë kualifikues të Europa League, me bardheblutë që bënë dy ndeshje të mira ndaj Maccabit të Tel Avivit tani vëmendja e Tiranës është e gjitha te Kategoria e Parë me skuadrën e Ze Marias që do të jetë e impenjuar në grupin B. Trajneri brazilian beson te grupi që ka aktualisht në dispozicion dhe e ka të qartë se cili do të jetë objektivi i kësaj Tirane.
“Sot fillojmë një rrugëtim të gjatë për të arritur objektivin tonë, që siç e disktuam edhe me presidentin dhe futbollistët brenda dhomave të zhveshjes është mëse i qartë dhe djemtë e dinë këtë, të fitojmë grupin B të kategorisë së Parë për ta rikthyer Tiranën aty ku i takon. Do të ketë disa fytyra të reja, pasi brenda kësaj jave do t’i bashkohen skuadrës 3-4 futbollistë të tjerë që do të kompletojnë grupin”, u shpreh Ze Maria.
22 futbollistë ishin nën urdhrat e Ze Marias dhe stafit të tij në ditën e parë të përgatitjeve, ku spikasnin emrat e rëndësishëm si kapiteni Karabeci, portierët Lika e Bakaj, por edhe mbrojtësit Doka e Hoxhallari si dhe mesfushori Asion Daja. Megjithatë binin në sy mungesat e dy mesfushorëve të shumëkërkuar në merkato, Merveille dhe Acquah, të cilët janë shumë pranë transferimit te skuadra kroate e Osijek. Ze Maria, ndërkohë konfirmoi edhe pozicionet, në të cilët luajnë blerjet e reja që do t’i bashkohen Tiranës gjatë ditëve në vazhdim.
“Është e vërtetë në stërvitje mungojnë Merveille dhe Acquah, pasi ata po vendosin sëbashku me klubin të ardhmen e tyre, por mungojnë edhe disa lojtarë të tjerë që janë blerë Tirana dhe ata janë 2 mesfushorë dhe një sulmues”, tha ai.
Ish-lojtari i Interit është i kënaqur me punën që kanë bërë deri tani drejtuesit, ndërsa nuk fshihet kur deklaron se, rikthimi në Superiore nuk është prioriteti i vetëm i Tiranës.
“Deri tani jam i kënaqur me punën që kanë bërë drejtuesit e klubit, më kanë vënë në dispozicion futbollistët që u kam kërkuar, lojtarë të zotë. Ne duhet të mendojmë si për këtë sezon ashtu edhe për sezonin pasardhës që të ndërtojmë një skuadër të fortë për të përballuar me sukses edhe kategorinë Superiore vitin tjetër”, tha trajneri i Tiranës.
Ze Maria konfirmoi qëndrimin te 24-herë kampionët të Karabecit dhe Ilion Likës, ndërsa vuri veton që Albi Doka të vazhdojë  të jetë pjesë e Tiranës. “Po Karabeci ka rinovuar, Lika gjithashtu. Janë dy futbollistë shumë të rëndësishëm, për këtë skuadër pasi eksperienca e tyre mund të rriter lojtarët me të riten në moshë. Doka është një futbollist i yni dua ta mbaj në skuadër sepse një lojtar me cilësi të mëdha dhe me një të ardhme të madhe përpara. Siç e dini Doka është një futbollist që luan në të njëjtin rol ku kam luajtur unë dhe mendoj se mund ta ndihmoj shumë të rritet dhe klubi e di këtë”, përfundoi Ze Maria.
Pas 1 jave stërvitje në kompleksin Skënder Halili, Tirana do të udhëtojë jashtë Shqipërisë për të zhvilluar fazën përgatitore.

Artikulli paraprakMerkato e Interit
Artikulli tjetërGjermania kundër sanksioneve të reja të SHBA ndaj Rusisë