Fundi i mediave të mëdha…

Nga Albi Xhunga

Beteja e pamundur

Ideja e një reforme në drejtësi, e cila do të bënte të mundur purifikimin e klasës politike shqiptare, dukej haluçinante dekadën e shkuar. Të mendoje maxhoranca e korrupsionit të sotëm dhe opozita e korrupsionit të djeshëm do të votonin një reformë që do ta drejtonte çekanin e drunjtë mbi kokën e tyre, ishte të ëndërroje ca si shumë. Mirëpo në këtë reformë me pretendime të larta e me gjasa të vogla, vuri fytyrën dhe besueshmërinë e saj fuqia më e madhe e globit.

Parë nga Tirana, basti dukej i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Të fuqishmit nuk do të vetëpërdhunoheshin haptas, duke firmosur me dorën e tyre, jo vetëm fundin politik, po me shumë gjasa edhe burgosjen. Mirëpo parë nga Uashingtoni, panorama është krejt tjetër. Shqipëria është një pikë e vogël në hartën e botës. Është e varfër, e prapambetur, e pafuqishme. Bejlerët lokalë që parë nga topet e kalit të Skënderbeut duken si zotër të mëdhenj, parë nga Uashingtoni duken si ca parazitë të bezdisshëm që duhen shtypur me këmbë.

Kuvendi votoi me 140 vota. Të fuqishmit i ulën brekët deri në fund të këmbëve, duke mbetur të pambrojtur nga çfarë do të vinte më pas. Dikush ngushëllohej duke menduar se do të amnistohej si nxënës i bindur, dikush duke menduar se gjithsesi edhe kjo reformë do të përfundonte si të tjerat, ndërsa dikush tjetër duke menduar se mund të shpëtonte duke bërë si gjithmonë në kohë të vështira, t’i vinte zjarrin Shqipërisë. Tani po ua ndjen prapanica lagështirën, po është pak si vonë.

Ngjarja ishte votimi me 140 vota. Të tjerat janë pasoja. Ikën me qindra magjistratë nga sistemi. Po burgosen politikanë, drejtorë, shefa, etj. Tsunami ka filluar dhe nuk dihet se sa të tjerë do të marrë me vete. Jemi në show time.

Beteja e munguar

Për marrëveshje fjale, me media duhet të kuptojmë perandoritë mediatike. Pak a shumë ato për të cilat fliste raporti i Freedom House e që zotërojnë shumicën dërrmuese të audiencës. Mediat e vogla dhe portalet nuk hyjnë në këtë analizë, sepse pesha e tyre në tregun mediatik është modeste. Madje portalet kanë kontribuar fort në diskreditimin e mediave të mëdha, por kjo është një analizë tjetër.

Mediat në Shqipëri janë gratis. Publikut i ofrohet produkti mediatik falas. Këtu lind pyetja; Ku i nxjerrin fitimet e tyre këto media që na e ofrojnë produktin e tyre totalisht gratis?

Në perëndim ka tre modele kryesore. Njëri është modeli klasik ku media e shet produktin e saj me para. Tjetri është modeli i një media totalisht gratis, e cila e nxjerr fitimin e saj përmes të ardhurave nga reklamat. Janë edhe mediat shtetërore, të cilat financohen nga taksat. Në Shqipëri nuk ka asnjë media të madhe që ta ketë pozitiv bilancin e shpenzimeve me të ardhurat nga reklamat. Këto media kanë nevojë të vazhdueshme për financim, pasi janë biznese me bilanc negativ. Thënë më troç, janë biznese që dalin me humbje. Atëherë lind pyetja; Nga vijnë këto para që u injektohen mediave? Përgjigje e thjeshtë, nga korrupsioni. Media në çdo rast ia shet produktin e saj konsumatorit. Vetëm se kjo nuk ndodh direkt, pra me abonim. Kjo nuk ndodh as indirekt, duke i nxjerrë fitimet nga reklamat. Këtu kemi të bëjmë me një skemë korruptive e cila e vë median (pseudo-pushtetin e katërt) në shërbim të politikës dhe si shërbim merr koncensione, leje ndërtimi, status investitori strategjik, etj.

Në kapitalizëm nuk ka asgjë gratis. Çdo gjë ka një kosto e për rrjedhojë edhe një çmim. Si rregull, ajo që duket se ofrohet gratis kushton më shtrenjtë se sa do të kushtonte nëse do të paguhej direkt, sepse kjo është faturë e kamufluar. Pra shqiptarët shikojnë tv gratis dhe këtë, përveçse e paguajnë me trushpëlarje masive, e paguajnë sa frëngu pulën edhe me koncensione korruptive, leje ndërtimi abuzive e përfitime nga më të ndryshmet.

Ajo betejë që duhet të ishte bërë nga mediat, mungon. Mediat nuk e luajtën rolin e tyre për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë, për të denoncuar skandalet, etj, etj. Përkundrazi, ato u bënë vegla propagande e censure.

Beteja e panevojshme

Si rregull logjik, do të duhej të goditeshin të gjitha kolonat e sistemit. Mirëpo nëse i hedhim një sy asaj që ka ndodhur dhe asaj që po ndodh, vëmë re se ka goditje ndaj pushtetit legjislativ, ka goditje ndaj pushtetit ekzekutiv, ka goditje ndaj pushtetit gjyqësor, por mungon goditja ndaj pushtetit të katërt.

Pse vallë? Pse po kursehet kjo kolonë e sistemit? Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep vetë natyra e medias. Nuk ka goditje më të sikletshme se sa goditja ndaj medias, sado e korruptuar të jetë ajo. Zhurma që do të bëhej do të ishte e paimagjinueshme. Do të denoncohej goditja e atyre mediave që kanë qenë kritike me drejtësinë e re dhe kjo e fundit po hakmerrej. Do të ngriheshin në këmbë organizatat ndërkombëtare, se po goditet fjala e lirë, do të miratoheshin rezoluta, etj, etj.

Por kjo nuk do të thotë aspak se media do të shpëtojë. Duke qenë produkt i sistemit, media do të mbijetojë për aq kohë sa të mbijetojë dhe sistemi. Nëse sistemi bie, media falimenton. Nuk mund të mbijetojë në treg të lirë një media që është mësuar të financohet nga paratë e korrupsionit. Pra nëse drejtësia e re arrin të zhdukë praktikat korruptive, medias i thahen burimet. Kjo e bën të panevojshme goditjen ndaj medias së korruptuar që bën propagandë në shërbim të politikës së korruptuar dhe censuron lajme. Si afera e inceneratorëve iu censurua publikut për vite me radhë. Apo si afera 5D, për të cilën disa televizione u bënë aq qesharake, sa transmetonin reagimet e Lalit edhe pse e kishin censuruar totalisht lajmin.

Pra goditja ndaj medias është thjesht e panevojshme. Mjafton të goditet burimi dhe 4/5 televizionet më të fuqishëm në Shqipëri mbyllin qepenin.

Artikulli paraprakEuropianët nuk i shqetëson emigracioni, por rritja e kostos së jetesës
Artikulli tjetër“Dosja ndaj Metës në përfundim, gati të merret i pandehur”, Kthupi: Ish-Presidenti i shqetësuar për…