Frika është “verbëria” jonë…

Namir LAPARDHAJA

Në fillim të karantinimit të gjithë sollën në vëmendje “Verbërinë” e J. Saramagos. Për të mos përsëritur çka është shkruar, po sjell në kujtesë se si shpëtojnë personazhet e tij nga karantina e spitalit psikiatrik, ku janë futur si pasojë e verbërisë.

Të verbërit janë ngritur në protestë, ngase një grup tjetër brenda karantinës janë shndërruar në banditë, u kanë privuar të gjitha “liritë” elementare, si ushqimi etj., madje kanë shkuar deri në përdhunim.

Gruaja e mjekut (e vetmja që sheh) me një grup të vogël ka arritur të eleminojë drejtuesit e bandës së të verbërve, njëkohësisht në karantinë bie një zjarr i madh. Të verbërit janë mes dy “zjarresh”.

Nga një anë, zjarri i rënë në objekt, që rrezikon të shkrumbojë gjithçka, dhe, nga ana tjetër, rreziku që vjen prej ushtarëve dhe rojeve të objektit, sepse ata gjuajnë pa paralajmërim këdo që afrohet. Pas debateve, njerëzit vendosin të shkojnë dhe t’u kërkojnë t’i lënë të dalin. Me frikën dhe ankthin e madh, ata afrohen.

Nuk u besojnë syve. Prej kohësh aty nuk ka asnjë. Dalin në qiell të hapur dhe mendojnë se mund të jenë aty. Por jo. Gjithçka ka marrë fund. Rojet janë larguar. Me çduket, janë verbuar të gjithë. Përfshi edhe ata vetë.

Në fakt, romani është drejt fundit. Makthi kolektiv fillon e zgjidhet, pasi verbëria ka përfshirë gjithçka. Në faqet e fundit të gjithëve fillon dhe u vjen shikimi, vetëm ajo, gruaja e mjekut, ka ende frikë se mos verbohet në ato momente. M’u kujtua kjo ngjarje sot, kur dola, si zakonisht me leje, dhe nuk pashë mbi rrugën e shtëpisë postobllokun e zakonshëm të policisë.

Eca më tej, aty ku rrinë gjithmonë. As aty nuk ishin. Vijova në një vend tjetër të caktuar të postobllokut të radhës. Çudi. As aty s’kishte asnjë policë dhe ushtar. Në bulevard? Asnjë. Mos ndoshta u shëruam të gjithë? Uroj që ashtu të jetë.

Dhe meqenëse e nisa me “Verbërinë” e Saramagos, me të po e përfundojë: “Frika të bën të verbër, – tha vajza e re me syze të errëta. – Keni të drejtë, ne ishim të verbër në çastin kur u goditëm nga verbëria, na kishte verbuar frika, frika do të bëjë që ne të vazhdojmë të jemi të verbër….”

Artikulli paraprakFlasin emigrantët që po mbahen në karantinë: Po na mbajnë peng këtu, s’kemi…
Artikulli tjetërVaksina me mikroçip? Ish numri 1 i tenisit kujton deklaratën e Bill Gates dhe…