Fondi: Të suksesshme vetëm bizneset e klientelës së qeverisë

Në vitin 2015, të ardhurat e qeverisë kanë qenë 2,5 për qind të PBB-së më pak se parashikimet e qeverisë. FMN vë në dukje se, gabimi në parashikim në vitin 2015 ka qenë shumë i lartë. Performanca e dobët ka karakterizuar pothuajse të gjitha taksat kryesore, me përjashtim të tatimit mbi fitimin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
Parashikimet e të ardhurave ishin tepër optimiste. Projeksionet e të ardhurave tatimore bëhen duke marrë në konsideratë rritjen nominale të PBB-së, rezultateve të pritshme të vitit në proces, plus ndikimet nga ndryshimi i politikave fiskale dhe rritja e miradministrimit fiskal.
Nisur nga rezultat e të ardhurave më 2014, parashikimi i të ardhurave të 2015-s ishte shumë optimist. FMN analizon se, disa faktorë pengues të rëndësishëm nuk janë marrë parasysh në përgatitjen e buxhetit 2015, në mënyrë të veçantë për importet e larta të akcizës në vitin 2014 në prag të rritjes së taksave.
Gjithashtu ngelen jashtë parashikimeve çmimet e ulëta të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar si nafta dhe mineralet, si dhe rënia e interesit të depozitave nga ana tjetër, faktorë që ndikuan dukshëm negativisht në të ardhurat.
“Vlerësimet dhe parashikimet për efikasitetin e mbledhjes së taksave ishin jashtëzakonisht jorealiste”, tregon FMN.
Gjithashtu vlerësimet për ndikimin e disa masave të ndërmarra në politikat tatimore ishin joreale. Përgjigjet e sjelljes së tatimpaguesve janë nënvlerësuar, të tilla si rritja e kontrabandës së cigareve që kanë kontribuar në një reduktim të madh të importeve të tyre.
Ndaj dhe performanca e dobët e të ardhurave tatimore dhe doganore në vitin 2015 ka qenë pasojë e supozimeve tejet optimiste.
“Një kompozim i gabimeve në parashikime tregon se më shumë se gjysma e performancës së dobët kanë të bëjnë me përpjekjet e dobëta administrative dhe rritja e vëllimeve të padeklaruara të cigareve dhe mallrave të tjera të akcizës.
Gjysma tjetër i atribuohet rënies së çmimeve të naftës (26%) dhe rritjes së PBB poshtë programimeve (13%)”, referohet në analizë.
Dizajnimi i TVSH-së në Shqipëri është shumë i ngjashëm me standardin e BE-së. Duke pasur parasysh efikasitetin e TVSH-së në nivelin 46% në vitin 2013, FMN vlerëson se hendeku mund të jetë rreth 34-39% e TVSH-së së mundshme së fundmi.
Efikasiteti në Shqipëri ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve 2008-2013. Duke supozuar se përbërja e konsumit final ka mbetur kryesisht e pandryshuar, rendimenti i TVSH-së shihet të jetë përkeqësuar.
Hendeku në grumbullimin e akcizës ka të ngjarë të jetë i rëndësishëm gjithashtu. Zyrtarët dhe vëzhguesit e jashtëm besojnë se, kontrabandë e konsiderueshme bëhet me mallrat e akcizës, veçanërisht në karburante, referon FMN-ja.
Si pjesë e fushatës kundër informalitetit, që ka nisur kohët e fundit, masat janë fokusuar në një rishikim të regjimit të pullave të akcizës dhe forcimin e kontrollit të mallrave të akcizës në të gjithë Shqipërinë, për të parandaluar devijimin në tregjet e pataksuara të brendshme.

Evazioni i lartë

Ekziston një konsensus se Shqipëria vuan nga informaliteti i përhapur, me një ndikim të lartë negativ në të ardhurat nga taksat.
Zyrtarë të qeverisë dhe vëzhgues të jashtëm vazhdimisht paraqesin mospërputhje të gjerë në shumicën e taksave.
Dëshmi e mëtejshme janë edhe të dhënat e performancës të përpiluara nga doganat dhe administrata tatimore. Raportet administrative fiskale tregojnë se një numër i madh i tatimpaguesve mbetet të identifikohen dhe të vlerësohen për detyrimet shtesë.
Nga ana tjetër, nivelet e larta të mospërputhjes, jo vetëm dëmtojnë të ardhurat nga taksat, por mund të minojnë kohezionin social dhe rritjen ekonomike. Ka një numër studimesh empirike që tregojnë lidhje shkaksore ndërmjet përputhjes së taksave dhe kohezionin social, vëren FMN.
Institucioni Financiar Ndërkombëtar tregon se duhet të perceptojnë politikën e taksave si të drejtë dhe të administruar në mënyrë efektive (në mënyrë që të gjithë të paguajnë pjesën që u takon).
Duket se nuk ka një lidhje e qartë dhe transparente midis pagesave të taksave dhe përfitimeve publike, analizon fondi.
Ndërmarrjet lulëzojnë në vendet ku financohen shërbimet publike, si infrastruktura dhe energjia dhe ku administratat fiskale lehtësojnë konkurrencën e pandershme nga bizneset jo të ligjshme.
Teksa mangësitë e taksave në Shqipëri nuk janë kuantifikuar, hendeku vlerësohet mbi 35% të grumbullimit të mundshëm të tatimit. Hulumtimet e mëparshme kanë gjetur se pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë boshllëqe të grumbullimit nga 20-35%.

Rekomandimet

Të ardhurat e ulëta tatimore vijnë nga dobësitë në administrimin e tatimeve dhe evazionit, të cilat janë duke u trajtuar. Autoritetet shqiptare nisën një përpjekje të reformës në shtator 2015 për të përmirësuar përputhjen e taksave, për të luftuar evazionin dhe për të minimizuar informalitetin dhe në këtë mënyrë, për të rritur grumbullimin e taksave.
Përpjekja është shumëdimensionale. Qeveria nisi një fushatë ndërgjegjësimi publik, në mënyrë që bizneset të vetërregulloheshin para fundit të 2015-s.
Por fushata u centralizua në profilet e rrezikut dhe në nxitjen e konsumatorëve për të kërkuar faturat e tyre tatimore. 500 inspektorë të rinj tatimorë u punësuan. Një komitet drejtues monitoron përpjekjet në baza javore dhe nxit më afër bashkëpunimin mes administratave tatimore dhe doganore.
FMN sugjeron se, fushata antiinformalitet duhet të përqendrohet më shumë në rezultate afatgjata, duke përdorur ekspertizë dhe profile të reja të rrezikut nga njësitë e përbashkëta të riskut tatimor dhe doganor.
Masat e ndërmarra kundër informalitetit kanë ndikuar në drejtim të rritjes së regjistrimit të bizneseve.
Por rezultatet e vërteta duket se po vijnë nga kontrollet mbi tatimpaguesit e TVSH-së.
Për shembull, verifikimi i kryer mbi 1358 tatimpagues të TVSH-së nga data 8 mars 2016 ka dhënë një shtesë prej 2,9 miliardë lekësh.
Rajoni i Tiranës spikati, ku hulumtimi i 651 rasteve në bizneset e TVSH-së rriti me 1,5 miliardë lekë rezultatet e të ardhurave.
Zyra e taksave regjistroi një të ardhur prej 1.1 miliardë lekësh në vetëm 8 raste nga 15 kontrolle të ushtruara.
Këto kontrolle janë bërë në segmente të biznesit me risk të lartë, duke u përqendruar në metodat moderne të menaxhimit të rrezikut.
Fondi këshillon që fushata kundër informalitetit duhet të shoqërohet me një monitorim të fuqishëm të performancës, duke u fokusuar në një numër relativisht të vogël të treguesve kyç.
Për sa i përket politikës së taksave, autoritetet duhet të lehtësojnë sistemin e taksave, në mënyrë që të reduktojnë kostot administrative të biznesit. Sondazhet tregojnë se shpenzimet e tilla janë relativisht të larta.
Gjithashtu përjashtimet e mallrave të importit nga TVSH-ja duhet të reduktohen për të lehtësuar në këtë mënyrë kontrollin e zinxhirit të TVSH-së.
Pragu i lartë i tatimit me zero të pagave e bën më të vështirë për administratën të kontrollojë nivelin real të pagave për efekt taksash.
Fondi këshillon se, autoritetet duhet të vazhdojnë t’i japin një mbështetje të qartë dhe të fortë fushatës antiinformalitet.
Me avancimin e fushatës, monitorimi i saj mund të delegohet te menaxherët e lartë të administratës fiskale dhe Ministrisë së Financave, me mbikëqyrjen e vazhdueshme nga ministri i Financave. Në fund, fondi sugjeron se, vendimet operacionale duhet të jenë të izoluara nga konsideratat politike dhe administrata tatimore duhet të përqendrohet në kontrollin e korporatave.
FMN thotë se ka vend për një bashkëpunim më të madh ndërmjet tatimeve dhe doganave. Shkrirja administrative tatimore dhe doganore mbetet një synim afatgjatë dhe nuk është duke u ndjekur, për të shmangur devijimet nga fushata e antiinformalitetit. Megjithatë, ka pasur iniciativa për të rritur bashkëpunimin mes të dy agjencive. Këto përfshijnë krijimin e një njësie të përbashkët të riskut, ndarjen e të dhënave dhe programe pilot për auditime të përbashkëta.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërFMN: Qeveria dështoi me rritjen e taksave